Lugina e Preshevës e pakënaqur me përkrahjen e Kosovës dhe Shqipërisë
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Ragmi Mustafa, ka thënë se gjendja në Luginën e Preshevës nuk ka ndryshuar meqë nuk ka ndonjë përparim për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.
Mustafa ka theksuar për “Epokën e re” se shqiptarët janë në pritje për realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat, sidomos në përdorimin e lirë të gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, teksteve mësimore, si dhe lëvizjes së lirë.
“Gjendja nuk ka ndryshuar sepse nuk ka ndonjë përparim për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pavarësisht prej miratimit të një shtatëpikëshi që kishte dhënë Qeveria në vitin 2013, për të cilin Vuçiqi e Daçiqi premtuan se do të jetë lehtë i realizueshëm, nuk ka asnjë lëvizje. Shqiptarët janë ende në pritje për realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat, sidomos në përdorimin e lirë të gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, teksteve mësimore, si dhe lëvizjes së lirë. Një problem tjetër është shkalla e zhvillimit ekonomik e cila është mbase më e ulëta në Ballkanin Perëndimor. Për këtë një numër i madh i të rinjve po migrojnë drejt Kosovës, Shqipërisë si dhe vendeve të Evropës. Ky është projekt i Serbisë që po zbatohet për të krijuar pasiguri te shqiptarët dhe për t’i përndjekur ata me metodat më të moderuar drejt vendeve të treta në mënyrë që ky vend t’u mbetet serbëve pa ushtrimin e një lufte të armatosur. Fatkeqësisht, Lugina ka një kujdes minimal të Qeverisë së Shqipërisë dhe më minimal një kujdes të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Ragmi Mustafa.
Ai ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria ish dashur të interesohen për shqiptarët në Luginë të Preshevës sikurse që kujdeset Serbia për serbët në Kosovë.
“Shqiptarët në Serbi duhet ta kenë tretmanin e njëjtë sikur serbët në Kosovë. Kosova dhe Shqipëria kanë mundur ta ndihmojnë Luginën e Preshevës në fushën e arsimit, të papunësisë dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë, përveç nga 50 mijë euro që i patën dhënë për ngritjen e maternitetit, nuk ka pasur ndihmë tjetër. Ne jemi shumë falënderues edhe për këtë ndihmë, por kemi nevojë që ndihma dhe kujdesi të vazhdojnë. Lugina ka nevojë për projekte që mundësojnë hapjen e vendeve të punës, sidomos për zhvillimin e bujqësisë dhe tregtisë. Këto janë të domosdoshme për t’i mbajtur gjallë shqiptarët në Luginë. Po ashtu, Kosova e Shqipëria duhet ta ngritin zërin në institucionet ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Ragmi Mustafa.
/Epoka e re/