Lugina e Preshevës me rezolutë kërkon bashkimin me Kosovën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të hënë me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, nga të cilët ka pranuar një draft-rezolutë ku kërkohet ta votojë Kuvendi i Kosovës në mënyrë që komunat e Luginës t’i bashkohen Kosovës.
Pas këtij takimi, në një konferencë të përbashkët për medie, ka thënë se duhet unitet politik brenda Kosovës, që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës.
“Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë prezantuar sot idenë e nxjerrjes së një rezolute që e kanë dorëzuar te presidenti, kryetari i Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare të të gjitha subjekteve që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta nxjerrë një rezolutë që e bënë të qartë mbështetjen që Lugina të bashkëngjitet me Kosovën. Do të kemi takime edhe në të ardhmen. Është momentum që duhet ta shtyjmë përpara dhe vetëm të bashkuar mund ta realizojmë këtë objektivë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se dialogu i Brukselit duhet të shfrytëzohet që Lugina t’i bashkëngjitet Kosovës.
Edhe kryetari i PDSh-së, Ragmi Mustafa, është shprehur se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkohen territorit të Kosovës.
Në anën tjetër, Ardita Sinani, ka thënë se do të kërkojnë nga Qeveria, kryeparlamentari dhe të gjitha partitë politike mbështetje për bashkimin e Luginës me Kosovën.
Krejt në fund, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kërkuar që Lugina e Preshevës të përfshihet në fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.