Lugina, kjo plagë Kosove
Enis Reçica
Më shumë se kudo tjetër në tokat shqiptare, si në Luginë të Preshevës askund se ndjen veten më shqiptar.
Aty vjen era shqiptar. Edhe fryma bartet e rrokulliset nëpër shpatet e kodrat shqiptare. Çdo gjë frymon shqip. Dhe e duan shqiptarizmin, por vështirë ta mbajnë…
Kaq shqip, fatkeqësisht nuk mund të shprehen edhe njerëzit, që shqiptar të vërtetë janë. Aty vazhdohet vuajtja, njëjtë si në Kosovën e para luftës. Më e keqja, Kosova që vetë shpëtoi nga i njëjti zullumqar, e Shqipëria që e vazhdon bashkëpunimin me të, pak e hiq shqiptari po mbjellin në këtë tokë që ka mbet pa dashje matan kufirit. Edhe kufiri është diskriminues aty, me ndalime e malltretime të përditshme, veç pse je shqiptar.
Veç pse janë të tillë, as flamurin shqip s’mund ta valvisin mbi pullazet e vjetëruara. Pluhuri, veç tjegullave, ka mbuluar edhe lumturinë. Si të jesh i lumtur kur po që se kthehesh nga kafiteria, ara, xhamia a tregu, e gjen veten të fshirë nga adresa. S’je më pronar i trualit tënd dem-baba-dem, veç pse në rrudhat tua dëshmohet djersa shqipe.
E ku mos me piku loti i pastër kur tentohet që as shqipja të mos mbetet e pastër. Në çdo 1 shtator, gjaku i ri shqiptar, që po rritet diskriminueshëm bankave të vjetëruara e të pa riparuara nga autokratët racist, duhet të dëgjoj hymnin e tyre. Kjo gjeneratë vetëm vjedhurazi mësojnë për trimërinë e njerzve që ua kthyen tytën diskriminuesve të tillë viteve 90-ta. Në asnjë libër shkollor nuk e kanë lexuar kombinimin e tre shkronjave UÇK, e aq më pak për ata që ranë dëshmorë – veç pse deshën të mbesin shqiptar.
Më e keqja, vendi i heronjëve që shpëtuan Kosovën “perëndimore”, dinë të jenë kogja diskriminues ndaj “Kosovës lindore”. Nëse ndonjëri nga ta dëshiron të pajiset me Letërnjoftim të Kosovës sovrane, i duhen minimumi pesë vite të trokas dyerve administrative të burokracisë që e ka harruar vuajtjen e vet. Sikur “kosovarët e lirë” që vuajtën para 99-ës, “kosovarët e burgosur” vazhdojnë me dy vuajtje. Dhimbje kanë pse mbetën andej kufirit. E pikëllim mbajnë, pse shteti 10 mijë kilometërsh katror, u jep veç nga një vit “leje qëndrim”. Dhe për secilin vit, duhen ngarendin sporteleve me një mori dokumentesh, e nga 100 euro pagesë, veç për ta vazhduar “leje qëndrimin” në shtetin me të cilin duan të bashkohen.
Duan lejeqëndrim në Kosovë, për të pasur mundësi punësimi. Dëshirojnë të punojnë këndej, sepse politika gjenocidiale ka qasje raciste për mundësinë e punësimit për njerëzit andej që flasin shqip.
Ah medet, as Kosova amë, as Shqipëria nanë, s’mendojnë për bijtë që qajnë.
Këtë qasje diskriminuese, nga afër e panë gjashtë gazetarë nga po kaq media të Kosovës, nga 7-9 gushti i 2023, në mesin e të cilëve, si pjesë e Klan Kosova, isha dhe unë. Ne ndjemë me shqiptarët shqip që flasin. Ndjemë dhimbjen nën organizimin e Këshillit Nacional Shqiptar, që udhëhiqet nga një djalë që ngjallë shpresë matanë. E shpresa e tyre, arrihet kur të tjerë shqiptarë shkojnë andej shpesh, për të parë nga afër vëllanë shqiptar.
Autori Enis Reçica ka përfunduar masterin në Shkencat Politike dhe punon si gazetar