Luginasit brenda një libri monografik
Vështrim kritik / (Mustafë Ismaili “Me Luginasit e mi në Kanadanë e largët” (Monografi), “Lena” Prishtinë”, 2018), fq. 417).
Bilall Maliqi
Sikurse në shumë shtete të botës që ka shqiptarë, nga të gjitha trojet e ndara, edhe në Kanadanë e largët, gjenden shqiptarë të migruar, ndër ta edhe nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet, dhe mundohen në mënyra të ndryshme të punojnë dhe të mbijetojnë me punën e tyre.
Njëri nga këta është edhe Mustafë Ismaili, shkrimtar, i cili është nga Lugina e Preshevës, përkatësisht nga fshati Samolicë, komuna e Bujanocit, që jeton dhe vepron në Kanada, ku në shkrimet e tij si në poezi, ashtu edhe në prozë, shpërfaqë ndjenjat e tij prej krijuesi, të cilat i manifeston nëpër vargje poetike, por edhe në prozë, me të cilën identifikohet më mirë dhe më lirshëm.
Tematikat që Mustafa i përzgjedh në shkrimet e tij së pari në poezi, pastaj edhe në prozë, kanë atë lidhshmërinë shpirtërore me atdheun, sepse është i lidhur ngushtë me vendlindjen e tij, por jo vetëm kaq, Mustafa i shkruan edhe motivit patriotik në vargjet e tij poetike, të cilat janë të drejtpërdrejta, pa ndonjë hermetizëm, porse lexohen dhe kuptohen nga secila shtresë e lexuesve, por që kanë mesazh të qartë dhe me këto poezi identifikohet ky krijues i zellshëm dhe i palodhshëm, i cili krijon si mërgimtar në këtë shtet të largët.
U mor vesh se fahu i Mustafës është proza, të cilën e shkruan me shumë ndjesi dhe seriozitet, kjo shihet që nga romani “Rruga pa adresë” me të cilën libër sheshon ngjarje të vërteta, të ndodhura në një kohë jo edhe aq të largët e që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mbamendjet tona, por edhe të autorit, sepse në atë kohë të pa kohë, në kohën e luftës dhe të spastrimit etnik që iu bë shqiptarëve të pafajshëm, pjesë e këtij eksodi ka qenë edhe vetë Mustafa, e që i ka lindur edhe ky inspirim ndoshta i “imponuar” për ta filluar një roman me ngjarje dhimbse dhe rrëqethëse, me një titull prekës dhe korrekt “Rruga pa adresë”, meqenëse të gjithë këta të dëbuar nuk kanë pasur adresë të saktë se ku do të ndalen, siç nuk ka pasur as Mustafa. Pra është një kohë që pasqyron një tablo shumë reale të asaj kohe të pakohë.
Edhe në romanin tjetër me titull “Shtigjeve të natës”, para lexuesve paraqitet një pasqyrë shumë e qartë e rregullimit të skeletit të romanit, e që brendia e tij shoqërohet me një pasqyrim korrekt të autorit karshi motivit të zgjedhur për ta trajtuar brenda këtij romani. Në këtë roman e gjen veten çdo i ri dhe si kryepersonazh është një i ri, i cili rrugëton në ngjarjen e romanit nga prologu deri te epilogu i tij. Dhe nuk themi kot se Mustafa identifikohet më tepër si prozator, edhe pse shkruan edhe poezinë, por lexuesi aty e gjen veten më mirë dhe në mënyrë më komode.
Tek monografia “Me Luginasit e mi në Kanadanë e largët”, para nesh na del një përpjekje serioze e autorit që të mbledhë të dhëna autobiografike të protagonistëve që jetojnë së bashku brenda kopertinave të këtij libri voluminoz dhe tërheqës për lexim dhe për shtjellim.
Mustafa në këtë libër ka gjurmuar anekënd Kanadasë luginasit e tij të shpërndarë gjithandej këtij shteti e që nuk ka qenë aq punë e lehtë për autorin, sepse ai ka gjurmuar shumë kohë deri në gjetjen, sistematizimin dhe përpilimin e lëndës së punës për të ecur mandej edhe në etapa të caktuara kohore , të cilat i ka paraqitur edhe në libër deri në finalizimin e këtij libri, e që është një punë e lodhshme, por shumë lavdëruese për autorin dhe një e mirë edhe për lexuesit, dhe të interesuarit tjerë se tani i kanë të prezantuar brenda këtij libri simpatik.
Përveç parathënies së redaktorit të librit, Namik Selmani dhe të fjalës hyrëse të autorit, libri shoqërohet me këta kapituj apo cikle: /Dëbimi i shqiptarëve në trojet e veta/, ku autori kthehet prapa në histori që nga Perandoria Osmane, me dëbimet e shqiptarëve nëpër kohë dhe situata të ndryshme e që kanë reflektuar negativisht për ardhmërinë e tyre, të cilat janë shoqëruar me hidhërime, pezmë dhe vajtime për largimin e tyre me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore e që më nuk kanë mundur dhe nuk iu është lejuar kthimi në vendet e tyre, si bie fjala dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku, Toplica, Nishi etj., dhe nga vendet ku kanë jetuar shqiptarët me shekuj të tërë. Pra është ky një kapitull i gjerë për të cilën kanë shkruar shumë historianë, e që autori përmend disa etapa me rëndësi historike sa i përket dëbimit të shqiptarëve.
Në kapitullin /Lugina e Preshevës/, Mustafa jep sqarime të thukëta për këtë krahinë të populluar me shumicë shqiptare. Jep një kronologji historike për këtë krahinë që nga shekulli i VI dhe VII, duke rrugëtuar kështu nëpër etapa kohore deri te ngjarjet e fundit të luftës së lavdishme të UÇPMB-së, të cilët e ndërruan për 90 shkallë historinë e popullit shqiptar të këtyre komunave dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Mustafa në vazhdim na paraqet relievin, klimën, ekonominë dhe demografinë e Luginës së Preshevës, pa të cilat ky libër monografik do të ishte i mangët, për të kaluar në reportazhet e prezantuara për tri komunat tona veç e veç, duke filluar me historikun e shkurtër të komunave, shtrirjen gjeografike, numrin e popullatës, përqindjet e tyre nacionale, kulturën, politikën, informimin etj., gjë që e bënë librin tërheqës për lexim.
Pjesë e librit janë edhe kapitujt tjerë me rëndësi/ Historia e shoqatës shqiptaro kanadeze/, në të cilën jepet një kronologji e kësaj shoqate që mbledh shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet, historiku dhe themeluesit si dhe anëtarët që japin kontributin e tyre, duke u organizuar dhe duke organizuar aktivitete të ndryshme në të mirë të komunitetit shqiptar.
Duke e shfletuar librin, para nesh na dalin personazhet të cilët autori i ka mbledhur sikur lulet në kopsht dhe ua ka servuar lexuesve që ata të njihen me biografitë e tyre dhe me aktivitetet që i kryejnë ata në këtë shtet të largët. Shumica dërmuese janë nga Lugina e Preshevës, por kemi edhe mysafirë, miqtë të shqiptarëve të Luginës, të cilët e nderojnë librin, por që edhe autori i ka nderuar dhe i ka futur në mesin e luginasve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Kanada. Veçantia është se po këta personazhe janë me fotografitë e tyre kolor dhe me të dhënat e tyre të shkurtra, aq sa iu kanë nevojitur autorit për një prezantim dinjitoz të tyre në libër.
Ky libër e ka vlerën e vet, sepse të punosh, të gjurmosh, të rrugëtosh nëpër këtë shtet të madh dhe të mbledhësh të dhëna, nuk është edhe e lehtë, tevona edhe mbarështimi i brumit të shënimeve të mbledhura, sistemimi i tyre dhe rregullimi i kësaj monografie, konform rregullit që e kërkon një monografi me vlerë.
Mustafa Ismaili është mjaft punëtor, gjurmues i motiveve, gjetës i mirë i ideve, të cilat i konkretizon në zhanret përkatëse, por më së miri në prozë, sepse dihet mirëfilli se shkrimi i poezisë kërkon më shumë art, vlerë, siç thotë i madhi Azem Shkreli, “Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë”.
Vlen të theksohet se ky libër kohë më parë u përurua në komunën e Bujanocit, në të cilën kanë marrë pjesë një numër i madh i artdashësve nga Lugina e Preshevës dhe nga Kosova, ku referuesit kanë dhënë kritikë shumë pozitive për këtë monografi. Po ashtu Mustafa çdo herë që vjen në vendlindje përuron vepra të reja, edhe në Preshevë dhe në vende të tjera, të cilat i boton brenda një viti kalendarik, e që i prezanton para lexuesve të tij.
Përveç këtyre librave në poezi dhe në prozë, Mustafa ka përkthyer dhe ka botuar libra edhe në gjuhën angleze si: “A journeu Without Destination” (Rruga pa adresë), romanin “The night trails” (Shtigjet e natës) dhe romanin “Deportation with violence” (Dëbimi me dhunë).
Marrë në përgjithësi ky libër i karakterit monografik i shkrimtarit Mustafë Ismaili, libër kapital me format B/5, me brendinë e punuar kolor, shoqërohet me vlerë të begatshme artistike, gjithnjë duke pasur parasysh brendinë e librit dhe punën e palodhshme që e ka bërë, e që nuk është edhe aq e lehtë, se në shumicën e rasteve monografitë bëhen në mënyrë ekipore, e këtë libër autori e ka bërë vetë, e për atë vlen të përshëndetet puna, aktiviteti dhe vullneti i tij, për t’ia arritur këtij qëllimi…