LUGISHTA E HASIT – FSHATI QË U RINGRIT MBI GËRMADHA

02 tetor 2021 | 23:48

Shtegtime nëpër Atdhe (CIL)

Shkruan: Berat Luzha

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, pos që e copëtoi trungun shqiptar në shumë pjesë, i ndau edhe krahinat shqiptare në dysh, siç është rasti i krahinës së Hasit. Në pjesën e Hasit, që tash i takon R. së Kosovës, ndodhet edhe fshati Lugishtë, deri vonë i quajtur Lubizhdë. Lugishta, e mbiquajtur Lugishta e Hasit, komuna e Prizrenit, ndodhet mes malit të lartë të Pashtrikut dhe lumit të gjatë Drini i Bardhë. Shtrihet në një fushëgropë në krahinën etnografike të Hasit të Thatë, rreth 30 km nga Prizreni.

Fshati Lugishtë është fshat i tipit të shpërndarë në lagje larg njëra tjetrës me rreth 400 shtëpi dhe, sipas regjistrimit të vitit 2011, me 2800 banorë. Për shkak të shpërnguljeve të mëdha në Prizren dhe nëpër botë, numri i banorëve të përhershëm ka rënë nën shifrën 2000. Mëse 40 për qind e shtëpive të reja të fshatit, të ndërtuara pas luftës, qëndrojnë të mbyllura, sepse banorët e tyre ndodhen në kurbet.
Sikur tërë Hasi, edhe Lugishta ka qenë e lidhur ngushtë me luftën çlirimtare të UÇK-së, Lugishta ka qenë portë dhe korridor për furnizim me armë nga R. e Shqipërisë. Në vitet 90-ta të shekullit të kaluar, sidomos gjatë luftës çlirimtare, nëpër Lugishtë për në Shqipëri e anasjelltas kanë kaluar ilegalisht një numër i madh i veprimtarëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, të ikurit nga ushtria jugosllave, studentët etj. Por, pas ofensivave të forcave serbe në vjeshtë të vitit 1998, lëvizjet ishin vështirësuar jashtëzakonisht shumë, ndaj ishte penguar furnizimi i UÇK-së me armatim dhe municion.

Për këtë shkak Lugishta u quajt vendi i besës, i bukës dhe i pushkës së UÇK-së. Pushtuesit serbë e kishin vënë në shënjestër dhe e kanë ndëshkuar në mënyrën më të egër, më të tmerrshme të mundshme, duke kryer mbi të masakrim të banorëve dhe shkatërrim të 99 për qind të shtëpive të fshatit. Lugishta ishte nga vendbanimet më të shkatërruara gjatë luftës në komunën e Prizrenit dhe në Kosovë.

Forcat serbe kishin hyrë me makineri të rëndë në fshatin Lugishtë të Hasit më 12 prill 1999 dhe kishin kryer masakër të rëndë, duke pushkatuar 46 burra, gra, fëmijë e pleq. Disa nga të vrarët janë gjetur nëpër varreza masive, të cilët më vonë janë rivarrosur në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit. Popullsia e mbijetuar u rrah, u plaçkitë, u detyrua të shtrihej e të hante barë, të këndonte këngë çetnike dhe, në fund, u dëbua nga fshati e Kosova në R. e Shqipërisë. Paraprakisht kriminelët ua kishin djegur shtëpitë dhe ua kishin marrë dokumentet personale. Pos të vrarëve, në Lugishtë forcat serbe dogjën shkollën dhe mëse 300 shtëpi e objekte tjera të rëndësisë së veçantë, siç është Teqja e Dervish Salihut.

Një storje paksa “humanitare” për kriminelët serbë gjatë masakrës tregohet për gruan Mihra Nerjovaj (1962), të cilës kriminelët serbë ia kishin vrarë burrin, kunatin dhe vjehrrën 77-vjeçare. Vjehrrën ia kishin djegur për së gjalli në shtëpinë e saj që po digjej. Pasi ia kishin vrarë më të afërmit, gruan e kishin pyetur: – Kend do që ta falim nga këta?! E gjendur shumë ngushtë, megjithatë gruaja kishte propozuar disa që t’i shpëtonte aq sa mund t’i shpëtonte. Kishte filluar t’i numëronte; një, dy, tre, katër…, por pas numrit katër serbët kishin bërtirur: – Mjaft shpëtove! – dhe e kishin ndërprerë numërimin! Kështu, pasi i humbi tre anëtarë të familjes, gruaja i shpëtoi katër të rinj nga pushkatimi. Edhe pse ka shumë fakte për kryerësit e masakrës dhe të krimeve të shumta në Lugishtë, deri tash asnjë person nuk është marrë në përgjegjësi.

Banorët e Lugishtës pas luftës iu rikthyen fshatit, ndërtuan shtëpi mbi gërmadha dhe filluan një jetë të re. Lugishta ka një shkollë të re e të madhe, ku mësojnë rreth 400 nxënës. Për shkak të emigrimit të vazhdueshëm të banorëve, edhe numri i nxënësve ka shkuar në rënie e sipër. Pas lufte shkolla kishte rreth 600 nxënës, kurse tash ky numër ka zbritur në rreth 400. Fshati ka edhe Shtëpi të Kulturës, Qendër Sportive, Kullën – muze “Kulla e Qëndresës” (në ndërtim), ambulancën, shitoret, kafenetë… Dikur banorët e fshatit furnizoheshin me ujë nga një krua i fshatit, kurse tash është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit. Oborret e shtëpive të Lugishtes janë të mëdha e me kopështe të rregulluara bukur. Pothuaj në secilin oborr ka puse (bunarë), llogariten të jenë rreth 300 puse në fshat.

Si i tërë Hasi, edhe Lugishta ka një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore në gjuhë, folklor dhe, veçanërisht në veshjet karakteristike popullore. Veshjet hasjane janë të njohura, të rënda e të shtrenjta. Veshjet popullore të Hasit kanë filluar të rikthehen, veçanërisht nëpër dasma e gazmende tjera familjare dhe të fshatit.

Lugishtasit njihen për mjeshtrinë e bukëpjekësit. Furrëtarët hasjanë kanë hapur furra në tërë Kosovën dhe pothuaj në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë. Llogaritet se vetëm lugishtasit kanë 120 furra në vende të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë.

Përkundër dhembjes që shkaktuan vrasjet e zhdukjet e familjarëve të tyre, fshati Lugishtë e Hasit tashmë ka një pamje krejtësisht të re. Pas luftës, në liri, fshati u ngrit nga hiri, u ringjall si feniksi dhe vazhdoi jetën me ritme të shpejta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prizreni 16 ka shënuar fitore ndaj RC Cola Dritës me…