Luiza Gega pushtoi Serbinë, atletja mori tri medalje të arta
Pasi arriti të fitonte garën e 3000 metrave me pengese, Luiza Gega arriti të siguronte medaljen e tretë të artë në Kampionatin Ballkanik që po mbahet në Serbi.
Me anë të një postimi në faqen e saj në rrjetin social “Instagram”, sportistja shqiptare shpreh lumturinë për këtë sukses.
“Çdo medalje ka rëndësi dhe e lumtur që arrita të marr 3 të arta për Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik, që u zhvillua në Serbi. Vetëm në garën 3000 metra me pengesa tentova të vrapoj pak më shpejt për të kapur kohën e normës olimpike, duke realizuar kohën 9.21. Zyrtarisht preva biletën për në ‘Paris 2024’. Dy garat e tjera 3000m dhe 5000m ishin thjesht gara taktike për të fituar medaljen e artë, por me një finish të shpejtë, pasi doja të ndjeja që në këmbët e mia ende ka forcë, edhe pse po bëja 3 gara për dy ditë”, ka shkruar Gega.