Lukaku dëshiron të kthehet në Inter
Sulmuesi i Chelseat, Romelu Lukaku, ka rrëfyer dashurinë e tij për ish-klubin e Interit dhe ka pranuar se shpreson të kthehet në San Siro.
“Mendoj se gjithçka që ndodhi nuk duhej të ndodhte kështu. Si u largova nga Interi, si komunikova me tifozët, kjo më shqetëson sepse nuk është momenti i duhur tani, por edhe kur u largova nuk ishte koha e duhur”, tha ai.
“Tani mendoj se është e drejtë të flas sepse gjithmonë kam thënë se Interin e kam në zemër, do të rikthehem të luaj atje, shpresoj shumë. Jam i dashuruar me Italinë”.
Lukaku u kërkoi falje Nerazzurrëve për mënyrën se si u largua nga klubi, raporton 90Min.
“Së pari dua t’u kërkoj falje të madhe tifozëve të Interit, sepse mendoj se mënyra se si u largova duhet të ishte ndryshe. Më duhej të flisja me ju fillimisht, sepse gjërat që keni bërë për mua, për familjen time, nënën time, për djalin tim, janë gjëra që më mbeten në jetë”, tha Lukaku drejtuar tifozëve të Interit.
“Unë me të vërtetë shpresoj në thellësi të zemrës sime të kthehem në Inter, jo në fund të karrierës sime, por në një nivel ende të mirë për të shpresuar të fitoj më shumë”.
28-vjeçari ishte pjellor gjatë kohës së tij në Milano dhe kishte një partneritet shkatërrues me argjentinasin Lautaro Martinez.