Lukaku: Dua t’ia shpërblej besimin Interit
Romelu Lukaku ka shkëlqyer ndaj Empolit duke i dhënë Interit një fitore të madhe në udhëtim me rezultat 0-3.
Sulmuesi belg ka zhvilluar ndeshjen më të mirë këtë edicion me fanellën e Interit duke realizuar dy gola e duke asistuar në një tjetër.
Lukaku shkëlqeu dhe është futur në formë të mirë, duke konfirmuar se dëshiron të mbetet në “Giuseppe Meazza”. 29-vjeçari ka thënë se Interi i ka dhënë shumë dhe duhet të jep maksimumin për ta shpërblyer besimin e drejtuesve zikaltër.
“Interi më ka dhënë shumë dhe duhet të jap maksimumin në fushë për këtë fanellë. Po rigjej formën më të mirë dhe dua t’ia shpërblej besimin klubit”.
Dëshira e Lukakus është të mbetet gjatë te Interi, por e ardhmja e tij ende është e paqartë pasi ai te gjiganti italian është vetëm i huazuar nga Chelsea.
“Dua të qëndroj sa më gjatë këtu, por për momentin jemi të përqendruar të marrim ndeshjet me radhë, pasi jemi në një moment të rëndësishëm të sezonit. Tani mendja te ndeshja ndaj Juventusit”, ka deklaruar Lukaku.
Në 26 ndeshje zyrtare, Lukaku këtë edicion ka shënuar nëntë gola dhe ka asistuar në tre të tjerë.