Lukaku: Kam qarë shumë për Eriksenin
Pasi udhëhoqi Interin drejt titullit kampion të Italisë, Romelu Lukaku është shndërruar edhe në lokomotivën e Belgjikës, pasi e nisi Evropianin 2020 me një dopietë, që u dha “djajve të kuq” fitoren 3-0 ndaj Rusisë në ndeshjen e parë në grup.
Me dygolëshin e shënuar në Shën Petërsburg, Lukaku preku kuotën e 62 golave të shënuar me përfaqësuesen belge, po aq sa kanë shënuar edhe Ronaldo me Brazilin e Ibrahimovic me Suedinë, por 28-vjeçarit i janë dashur shumë më pak ndeshje për të arritur këtë shifër.
I prekur pa masë nga ajo që i ndodhi shokut të tij të skuadrës te Interi, Christian Eriksen, sulmuesi belg nuk ngurroi t’i dedikojë golin fantazistit danez, duke i dërguar edhe një mesazh dashurie e mbështetjeje në kamerën më të afërt me fushën.
“Chris, të dua shumë”, ishin fjalët e Lukakut menjëherë pasi zhbllokoi ndeshjen ndaj Rusisë, ndërsa në përfundim të takimit sulmuesi belg mori edhe çmimin “man of the match”, teksa mes lotësh rrëfeu emocionet e mbrëmjes.
“Nuk ishte aspak e lehtë për mua, që të luaja pas asaj që i ndodhi Eriksen. Menjëherë sapo pashë çfarë ndodhi shpërtheva në lot dhe e kisha të pamundur të përqendrohesha. Kemi kaluar një vit e gjysmë bashkë te Interi dhe më shumë rrija me të, sesa me familjen time. Të gjitha mendimet e mia tani janë për Chris, bashkëshorten e tij, fëmijët e tij të mrekullueshëm dhe familjarët e tij”, u shpreh Lukaku mes lotësh në përfundim të ndeshjes.