
Lukashenko i sëmurë rëndë? Liderja e opozitës bjelloruse jep lajmin
Liderja e opozitës bjelloruse, Veronika Tsepkalo ka zbuluar në një intervistë për emisionin “Off the Record” në A2 CNN, se lideri diktatorial i Minskut, Alexander Lukashenko është i sëmurë.
Pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, Tsekalo tha se Lukashenko nuk do të heq kurrë dorë me vullnetin e tij të lirë nga pushteti, pasi synon ta drejtojë Bjellorusinë deri në vdekje.
“Lukashenko asnjëherë nuk ka për ta lënë pushtetin vetë. Ky është ai lloj personi që nuk e lëshon pushtetin”, tha Tsepkalo.
“Para këtyre zgjedhjeve patëm disa thashetheme edhe midis opinioneve politike dhe liderëve se ai do të caktonte dikë nga rrethi i tij për tu bërë presidenti i ardhshëm, por duhet të kuptoni psikologjinë e tij. Ai është ai lloj personi që asnjëherë nuk ka për ta lënë pushtetin. Ai do të vdesë në këtë pozitë. Ai do që të vdesë duke qenë president”, shtoi ajo.
“Skenari i dytë që mund të ndodhë është që ai mund të vdesë nga ndonjë sëmundje. Sepse ka edhe informacione që ai është me të vërtetë shumë i sëmurë, por duke parë nivelin e mjekësisë nuk duhet të mbështetemi tek ky skenar. Por është vërtetë e vështirë për të luftuar me një person që është i përkushtuar që të jetë president deri në vdekje”, vazhdoi liderja opozitare e Bjellorusisë.
“Ndaj për ne është shqetësimi kryesor që t’i bëjmë sa më shumë presion pasi ai është duke dëmtuar vendin çdo ditë”, përfundoi Tsepkalo.