Lukashenko: Perëndimi po përgatit një sulm ndaj Rusisë
Perëndimi po thur plane strategjike për të sulmuar Rusinë, sipas një deklaratë të presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, gjatë ceremonisë së mbajtur në Pallatin e Pavarësisë të martën për të nderuar maturantët e shkollave ushtarake dhe oficerët e rangut të lartë, sipas medieve të huaja.
“Planet strategjike për të sulmuar Rusinë kanë qenë duke u zhvilluar prej disa kohësh. Presidenti i Federatës Ruse dhe unë diskutuam këtë çështje deri në detaje. Dhe sulmi do të ‘kalojë’ përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë. Historia do të përsëritet”, ka thënë Lukashenko.
Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve “BelTA” ka raportuar më herët se presidentët e Bjellorusisë dhe Rusisë kanë zhvilluar një bisedë telefonikë të hënën. Një nga temat kryesore gjatë bisedës ishte rruga për në rajonin e Kaliningradit.
Gjithashtu, dy presidentët kanë vazhduar diskutimin për mbrojtjen dhe sigurinë e dy vendeve në vazhdimin e negociatave që është zhvilluar në Shën Petersburg muajin e kaluar.