Luksemburgu mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut, Jean Asselborn, me të cilin biseduan rreth një game të gjerë temash bilaterale por edhe çështje evropiane.
Pas takimit, ministrja Gërvalla ka deklaruar se është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Luksemburgu vazhdon të mbështesë udhëtimin pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës në zonën Shengen. Luksemburgu qartazi e konsideron marrëdhënien me Kosovën si një partneritet të vërtetë”, ka thënë ajo.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ministrat diskutuan në detaje për shumë fusha të bashkëpunimit siç janë: bashkëpunimi i ngushtë ekonomik, sferat e arsimit, shëndetësisë, sigurisë, kulturës si dhe perspektivën evropian sidomos të të rinjve. Ministrja Gërvalla tërhoqi vëmendjen rreth zhvillimeve në rajon dhe sfidave të lidhura me këto procese.
Gërvalla ka falënderuar homologun e saj për mbështetjen e Luksemburgut gjatë pandemisë.
Gërvalla ka ftuar ministrin Asselborn për të vizituar Kosovën, ftesë të cilën e ka pranuar me kënaqësi.