“Luledielli” i Vincent van Goghut
Nga: Bledar Kurti
Dhoma u mbush me qetësinë e thellë të netëve të Overit.
Aty nga ora dy, Vinsenti ktheu lehtë kokën mënjanë dhe belbëzoi:
Tani, Teo, do të desha të vdes.
Aty e pas pak minutash mbylli sytë.
Teoja e ndjeu se i vëllai po e linte, po e linte përjetë.
Teoja shkoi në Paris. Po helmi për vdekjen e të vëllait e hante, e brente pareshtur ditë e natë, çdo orë, çdo çast.
Truri i tij s’e duroi dot tërë atë hidhërim …
Dhe plot gjashtë muaj nga vdekja e Vinsentit, ja dhe Teoja vdiq.
Kjo ishte mbyllja e romanit Etja për jetë, e Irving Stounit, e botuar në shqip në vitin 1988, një vepër e cila gjatë frymëmarrjes së fundit të regjimit komunist, na mundësoi edhe ne fëmijëve, e padyshim edhe prindërve, ende nën shtetrrethimin ndaj universit të artit, të mësonim më shumë për jetën dhe veprat e Vincent van Goghut (1853-1890). Ky roman me ilustrime na mahniti me riprodhime të veprave të tij. Përmes tyre u trishtuam me Ngrënësit e patateve, u identifikuam me Fshatare duke korrur, u yshtëm nga qielli vorbullues i Udhë pranë nuenenit, u prekëm nga Dhoma e Vinsentit në Arl, qamë kur menduam se artisti kishte pikturuar këpucët tona të grisura tek vepra Këpucët, u ndriçuam në kthinat e thella të frikës diktatoriale nga hëna dhe yjet vezullues tek tabloja Natë me yje, dhe u prekëm, me një ndjesi të pa përjetuar, me veprën Luledielli.
Dhjetë vjet më vonë, teksa ecja në korridoret e rënda të Galerisë Kombëtare në Londër, edhe pse kaloja përmes Leonardos, Michelangelo, Raphael, Renoir, Picasso, e shumë mjeshtëra të tjerë të artit, këmbët më nxitonin për nga ajo: Luledielli. Përjetimi im i parë me veprën që më kishte magjepsur që në fëmijëri.
E verdhë. Diku edhe më e verdhë. Një sfond i verdhë. Petale të verdha. Boçe me të verdhë të errët, në okër. Vazo e verdhë. Nënshkrimi me blu, e ca njolla jeshile për ta bërë të verdhën të duket edhe më e verdhë. Ndjesi e verdhë. Dritë. Diell. Jetë.
Vincent van Gogh pikturoi dymbëdhjetë të tilla. Në dukje të ngjashme, por të ndryshme në përmbajtje e në trajtim. Ai nuk i titulloi kurrë tablotë si luledielli, por ne i njohim si të tilla duke i dalluar sipas vendit ku janë të ekspozuara, si Luledielli i Londrës, Amsterdamit, Mynihut, Tokios, dhe Filadelfias.
Van Gogh nisi të pikturonte vonë. Ai ishte tridhjetë vjeç kur nisi të ndiqte rrugën e pikturës. Por, u nda nga jeta tridhjetë e shtatë vjeç, duke patur kështu vetëm shtatë vjet krijimtari, por falë së cilës la një trashëgimi të jashtëzakonshme në art, dhe një stil të patjetërsueshëm.
Van Gogh konsiderohet si një meteor në botën e artit, u duk vetëm për pak kohë por me një rrezatim të madh.
Deri në moshën tridhjetë vjeçare Van Gogh ishte një dështim i gjallë. Nuk arriti të kishte sukses në asgjë që bënte. Bir i një pastori protestant, edhe vetë ai synonte të bëhej i tillë, e madje punoi si pastor jo profesionist në Angli dhe Belgjikë, mes minatorëve. Ai vendosi të bëhej piktor. Vëllai i tij i vogël, Theo, i cili punonte në një dyqan veprash arti e njohu me piktorët impresionistë. Veprat e tij të para janë të errëta, plot shpirt por pa ngjyrë. Me të shkuar në Paris, Van Gogh u njoh me impresionistët dhe kuptoi diçka që sot mund të mendohet si e paimagjinueshme dhe e thjeshtë, por për kohën ishte revolucionare: forca e ngjyrave. Për herë të parë bojërat nisën të shiteshin me tubeta, dhe me një shumëllojshmëri nuancash. Ndaj Van Gogh ashtu si Claude Monet dhe të gjithë impresionistët e tjerë, i përdori të gjitha lirshëm dhe guximshëm.
Bojërat me tubeta ishin produkt i industrializimit. Ideja lindi nga një piktor i panjohur amerikan John G. Rand i cili jetonte në Londër në vitin 1841. Ashtu si të gjithë piktorët Rand përpiqej të ruante bojërat nga tharja përpara se mund t’i përdorte sërish. Në atë kohë, ruajtja më e mirë e bojës ishte fshikëza e derrit e mbështjellë e mbyllur me spango; artisti do e shponte fshikëzën me një thumb për të marrë bojën. Por nuk kishte asnjë mënyrë për ta mbyllur krejtësisht vrimën më pas. Dhe fshikëzat nuk ishin të rehatshme për të udhëtuar, e shpeshherë shpërthenin. Ndaj Rand i lindi një ide revolucionare: tubi i bojës. I bërë nga kallaji dhe i vulosur me një kapak vidhosës, tubeta e shpikur nga Rand ruhej gjatë, nuk rridhte dhe mund të hapej e mbyllej në mënyrë të përsëritur. Kjo shpikje i mundësoi artistëve të dilnin në natyrë e të pikturonin, duke udhëtuar në vende të ndryshme, e duke përshkruar tematika të ndryshme, dhe padyshim që Van Gogh e shfrytëzoi këtë mundësi në mënyrën më të mirë duke pikturuar peizazhe të jashtëzakonshme, nën qiell e nën diell, në fusha e rrugina, ditën edhe natën.