LULEGJAKU

26 janar 2022 | 16:30

Shkruan: Ismet Rashiti

(Masakrës së “harruar” të Trenajve të vitit 1913*)

Ka vite që mendoj për lulegjakun. Sa herë e mendoj këtë lule disi e ndjejë një dhembje të thellë. Marrë frymë, ofshajë dhe e pyes veten. Pse lulegjaku, pse vetëm në tokën time çelë vetvetiu kjo lule dhe lëshon shtat pa e ujitur askush? Sa më shumë që mendoj për lulegjakun, aq më tepër më del parasysh historia e popullit tim, luftërat e pandërprera dhe gjaku i derdhur ndër shekuj në mbrojtje të tokave dardane. Toka, gjaku, lulja më ishin mbjell në kokë qysh në fëmijëri. Sa herë shkoja te dajtë e mi në fshatin V. dëgjoja histori të pashkruara në libra. Gojëhapur përpija çdo fjalë dhe çdo rrëfim që bëhej në odën e madhe të Cakës përplot burra si në skenat e mëdha të teatrove të Berlinit, Parisit apo Vjenës. Flisnin pleqtë me radhë dhe me tone të ndryshme. Varësisht nga rrëfimet, herë zbutej zëri, herë ngritej, herë qeshnim të gjithë, e herë na shkonin lotët faqeve teposhtë. Si fëmijë nuk i harroj kurrë ato skena të pleqve me plisa të bardhë të cilët shpalosnin kujtime të përcjella gjeneratë pas gjenerate.
Një natë, njëri nga pleqtë përmendi masakrën e Trenajve, diku aty afër fshatit S. Sapo nisi rrëfimin sytë ju mbushën me lot. Pasi i fshiu lotët me cepin e shallit të bardhë dhe mori frymë, pas një ofshame të thellë, filloi rrëfimin: “Te Trenajt ka qenë një lagje e tërë malësorësh shqiptarë. Aty forcat serbe kanë vrarë, pushkatuar, e therr me thikë mbi 100 shqiptarë. Zoti e ditë sa janë mbytur aty. Ju të rinjtë këtë histori nuk e kini mësuar në shkollë. Nuk shkruan as në libra… “Pastaj, mu drejtua mua që i kisha hapur sytë katër, më afroi afër prehrit dhe sikur kërkonte të mos i harroj kurrë ato fjalë. “Dajo gjërat duhet të shkruhen se harrohen. Trenajt janë masakruar nga ekspeditat serbe. Gra, fëmijë, burra janë masakruar pa asnjë faj në tokën e tyre, në shtëpitë e tyre. Edhe sot aty janë themelet e shtëpive të rrënuara dhe puset e ujit të mbushura me gjakun e Trenajve. Mos i harro dajo këto fjalë, mbaj mend, shkruaj kur të rritesh…”

No description available.

Kanë kaluar shumë vite, shumë dekada të rënda që nga ajo kohë. Në kokën time kanë mbetur të ngulitura thellë fjalët e dajëve Caka A.L.M.F.E.E.F dhe pastaj N. që i përsëriste pothuaj në çdo ndejë. Më sillen vërdallë Trenajt, ata burra dhe gra që janë masakruar mbi një shekull më parë, pa pikë faji.
Tani sa herë kam mundësi shkoj atje lartë, në lendinën e Trenajve. Në lëndinën e lulegjakut tim. Përulem në gjunjë, i marrë në duar gurët e themeleve, i ledhatoj pemët e mbetura dhe padashur më pikin lotët mbi lulegjakun. Lulegjaku ngehë kokë, i hapë petalet dhe më rrëfen: “Unë jam lulegjaku. Rrënjët i kam të lëshuara në damarët e gjakut tim që nuk thahet kurrë”. Pak më tutje ulem me nipin tim Caka, marrim frymë thellë dhe pasi nipi e dhezë cigaren nga dhembja, e pyesim njëri tjetrin: Pse vallë është harruar kjo masakër, pse nuk ka asnjë pllakë përkujtimore, pse nuk shkruan historia, pse nuk është në libra shkollor, pse, pseeee…
Zgjohemi në këmbë të dërmuar dhe fytyra të skuqura posi lulegjaku. Lëshojmë sytë teposhtë fushave. Si në shuplakë të dorës shihet fshati S. pastaj qyteza K. Pamje madhështore, vend i mrekullueshëm mes maleve kryelarta dhe ujit që gurgullinte drejt gurëve të Kishës. Sërish kthej sytë nga themelet e rrënuara të shtëpive, nga trupat e pemëve të lashta, nga dardhat, mollët, qershijat dhe arrat trupgjata të mbetura pa zot. Zemra më vëlon si një vullkan dhe lotët i fshijë ngadalë, pa më vërejtur nipi, i cili asnjëherë nuk më kishte parë të tillë! Me vete e mora një lulegjaku, me të cilën po çmallem, po marrë frymë dhe po ndjejë dhembje për ata njerëz që sot nuk kanë as emër dhe as datëlindje të shkruar në gurët e lëndinës së lulegjakut!!

* Trenajt ndodhen në malet e larta, në kufirin në mes territorit të Komunës së Kaçanikut dhe Vitisë, afër fshatit Stagovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ndikimit të politikës në procesin e zgjedhjeve të FSHF…