Lulëkuqe në arat e Kosovës
MIRELA PAPUÇIU
Zare që përsillen në vend të syve
drita vërtitet pa rrugëdalje
njerëz e objekte mbeten pa trajta.
Ah, zare të verbër që mbjellin zarare
në tokat ku fëmijët mbijnë si drithëra të mirë
Nëntoka qenka bujarja e përjetshme
Mblodhi në katër cepat rënkimet
e nënave e të fëmijëve dhe i mbolli
I ujiti me lëngun e kuq si u shtrydh
mirë e mirë
Lulëkuqet në ara përndizen mbi kërcenj
si kujtesa në gjakun e Kosovës
Ata që mbajnë në duar bajoneta
ndoshta kurrë nuk dëgjuan përralla
Ndaj drita u vjen si nuset e një nate
në shtratin e Shahryar-it
Atij që, më pas, Sheherazadja* ia shkuli
zemrën e ia vuri në sy
*Shahryar dhe Sheherazadja, personazhe të përrallave persiane “Një mijë e një net”
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)