Lulëkuqja me katër petale të jetë simbol për kujtimin e gjenocidit në Kosovë
Nga Bujar Dugolli
Që nga Lufta e Dytë Botërore kur u definua termi i “gjenocidit”, shoqëritë në vendet ku është ushtruar gjenocid, krijuan simbole të veçanta në kujtim të viktimave nga gjenocidi.
Në shumicën e rasteve, ishin lule të përzgjedhura, siç kanë bërë britanikët me lulëkuqen apo francezët me kokoçelin e kaltër.
Së fundi, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka nismuar idenë që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol për kujtimin e gjenocidit në Kosovë.
E disejnuar nga Adnan Asllani, i cili kishte disejnuar edhe emblemën e UÇK-së, kjo lulëkuqe ka 4 petale, për 4 format gjenocidale: vrasjen, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar.
Ndërkaq në qendër të lulekuqes, në vend të kokrrave të zeza janë paraqitur figura të zeza grash, burrash, fëmijësh e pleqsh, për të gjitha moshat dhe kategoritë e viktimave.
Kjo ide i është drejtuar përmes një letre edhe Presidentes së Kosovës, Kryeministrit të Kosovës dhe Kryekuvendarit të Kosovës. Në formë fushate, deri tani kjo kërkesë është përkrahur nga shumë persona publik nga Kosova, Shqipëria dhe diasporat shqiptare nëpër botë.
Atë që bëri Serbia në Kosovë më 1997 – 1999, ishte një gjenocid ndaj shqiptarëve i ushtruar në forma të ndryshme: vrasje, dëbim, tortura, dhunime, spastrim etnik, djegje, shkatërrime dhe plaçkitje.
Kjo histori përveçse e njohur, duhet edhe të kujtohet me specifika përkatëse sikur nevoja që të ketë një simbol të veçantë, tashmë i propozuar i gatshëm.
Në kujtim të viktimave të gjenocidit të ushtruar nga Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë!
B.D.