‘Lulëkuqja’ merr përkrahje të bëhet simboli i vetëm përkujtimor i gjenocidit në Kosovë
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka bërë me dije kërkesa publike drejtuar institucioneve shtetërore dhe politike të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i vetëm përkujtimor i gjenocidit në Kosovë, ka gjetur mbështetje të gjithanshme.
Me këtë rast, kjo qendër ka falënderuar përzemërsisht të gjithë përkrahësit e kësaj iniciative.
“Megjithatë nga disa dashamirë na është kërkuar të tregojmë arsyet e përzgjedhjes së lulëkuqes, për ta propozuar si simbol të gjenocidit në Kosovë”, është thënë në sqarimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”.
Sqarimi i plotë:
Sqarim lidhur me propozimin që lulëkuqja me katër petale të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë
Kërkesa publike drejtuar institucioneve shtetërore dhe politike të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i vetëm përkujtimor i gjenocidit në Kosovë, ka gjetur mbështetje të gjithanshme dhe shfrytëzojmë rastin të falënderojmë përzemërsisht të gjithë përkrahësit e kësaj iniciative. Megjithatë nga disa dashamirë na është kërkuar të tregojmë arsyet e përzgjedhjes së lulëkuqes, për ta propozuar si simbol të gjenocidit në Kosovë.
Prandaj sqarojmë me sa vijon:
Po bëhet një shekull që në Mbretërinë e Bashkuar, në Kanada, në Skoci, në ShBA dhe në Zelandë të Re, lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për t’i përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit dhe secili nga këto shtete demokratike ka përcaktuar një dizajn të veçantë të lulëkuqes, për ta dalluar nga simbolet-lulëkuqe të vendeve të tjera.
Po përmendim se edhe popuj të tjerë kanë përzgjedhur lule të ndryshme për simbol të përkujtimit të viktimave. Kështu për shembull, francezët zgjodhën lulen kokoçel i kaltër, për arsye të ngjyrës së kaltër që kishin uniformat e ushtarëve të vrarë, ndërkaq armenët u përcaktuan për lulen mosmëharro (lulja miosotis) për të përkujtuar viktimat e gjenocidit që kanë përjetuar në vitin 1915.
Lulja kokoçel i kaltër që u bë simbol përkujtimi në Francë
Lulja mosmëharro (miosotis) që u bë simbol përkujtimi për viktimat e gjenocidit armen
Pasi analizuam propozime të ndryshme, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” mbështeti idenë e Adnan Asllanit që lulëkuqja të jetë simbol i viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Duke u nisur nga fakti se në përkufizimin e gjenocidit hyjnë aktet kriminale të numëruara në dokumentet e të drejtës penale ndërkombëtare që janë bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë, ne jemi përcaktuar për lulëkuqen që ka ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë kombëtar, sepse projekti i gjenocidit në Kosovë kishte për qëllim shkatërrimin e shqiptarëve, si grup kombëtar, i ndryshëm nga serbët.Pikërisht për këtë arsye ngjyra e petaleve të lulëkuqes që do të simbolizojë gjenocidin në Kosovë dallon nga nuancat e ngjyrave të kuqe që kanë lulëkuqet-simbole të shteteve të lartpërmendura: është ngjyra e gjakut të pafajshëm!
Përveç nuancës së ngjyrës së kuqe të petaleve që e dallon nga ngjyra e petaleve që kanë lulëkuqet-simbol të vendeve të tjera, në simbolin e gjenocidit në Kosovë dallon edhe “zemra e lulëkuqes”: në vend të kokrrave të zeza të farës së lulëkuqes, në logon tonë janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe të dy gjinive që ishin viktima të këtij gjenocidi.
Në dallim nga lulëkuqet që përdoren si simbol në vendet e lartpërmendura, katër petalet e lulëkuqes në logon e dizajnuar prej tij paraqesin katër forma të akteve gjenocidare, që Serbia e zbatoi në Kosovë:
Vrasje
Për të përfshirë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe gjinive.
Dhuna seksuale
Për të përfshirë mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale.
Spastrimi etnik
Për të përfshirë rreth një milion viktima të spastrimit etnik.
Shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar
Për të përfshirë shkatërrimi në vendbanimet shqiptare i 100589 shtëpive, i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike).
Petalet e lulëkuqes në këtë logo janë të vendosura në formë të shkronjës X, për arsye se gjatë luftës, në disa vendbanime ku popullsia ishte e përzier në aspektin e përkatësisë etnike, okupatorët serbë kishin shënjuar shtëpitë e shqiptarëve me një X, me qëllim që të udhëzoheshin forcat e armatosura serbe drejt vendeve ku duhej të kryheshin krimet.
Me një fjalë, forma e petaleve dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave simbolizojnë mbi dhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë dhe të gjymtuar, të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, mbi njëzet mijë viktima të dhunës seksuale, rreth një milion viktima të spastrimit etnik dhe qindra mijëra shkatërrime që u kryen gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.
Si e tillë, kjo logo meriton të jetë simbol i përbashkët i përkujtimit të viktimave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
11 dhjetor 2022
Kryesia e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”
Kryetar, Bardhyl Mahmuti
Zëvendëskryetar, Adnan Asllani