Lulzim Basha: Ja vija blu që të bashkohemi rreth një alternative
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se vija blu është bashkimi rreth një alternative që u jep shpresë dhe besim shqiptarëve që këta që pretendojnë të vijnë, nuk bëjnë thjesht rotacion karrigesh, por realisht do të merren dhe do të zgjidhin problemet.
Në një intervistë për “Euronews”, kryedemokrati thekson se nëse nisemi nga kjo, atëherë ka kaq shumë punë për të bërë.
“Sepse me të vërtetë përditshmëria e shqiptarëve ngado që ta kapësh vuan pasojat e kësaj keqqeverisjeje. Nga niveli ekonomik, nga kostoja e jetesës, nga aspekti social është më e mjeruara në 34 vite, krahasoje me Kosovën”.
Sipas tij, ka kaq shumë për të bërë nëse ka vullnet për të dalë nga kutia e lojës politike “ku është futur duke ndihmuar edhe Edi Ramën dhe partinë socialiste opozita tash 2 vite e pak”.
Ai thotë se agjenda politike si PD është fokusuar tërësisht tek kjo.
“Shumë shpejt do të bëhet shpalosja e programit që është hartuar në një proces do të thoja nga më të mirët që ka njohur ndonjë parti politike në Shqipëri dhe në Ballkan, nga ekspertët më të mirë të vendit me mbështetjen e ekspertëve amerikan, gjerman dhe evropian. Dhe ky proces do të eci paralel me evidentimin e kandidatëve për deputetë”.