Lulzim Basha, kandidat për kryetar të PD-së
Në Shqipëri, Partia Demokratike e opozitës po voton sot për të zgjedhur kryetarin e saj, midis kandidatëve Gjergj Hani dhe Lulzim Basha.
Sipas të dhënave nga kjo parti, pjesëmarrja në këto votime ka qenë e konsiderueshme në 71 qendrat e votimit në gjithë vendin, ndërsa afro 25 mijë anëtarë të kësaj partie janë regjistruar për të marrë pjesë.
Këto zgjedhje për kryetar po mbahen në një klimë paqartësish, tensionesh dhe përçarje brenda Partisë Demokratike, ku kryesia e partisë po replikon me sekretarin e përgjithshëm të saj, ndërsa grupi parlamentar është i ndarë në qëndrime.
Kandidati Basha tha se pjesëmarrja masive e demokratëve në këto zgjedhje tregon vendosmërinë e tyre për ringritjen e Partisë Demokratike në shërbim të shqiptarëve, pasi ata kanë përjetar sulme dhe padrejtësi të mëdha,
Nëse fiton zgjedhjet e sotme, ashtu siç parashikohet nga shumë vëzhgues, ky do të ishte mandati i katërt i Bashës në 10 vjet për të drejtuar Partinë Demokratike.
Lulzim Basha u zgjodh kryetar i partisë në verën 2013 pas një gare me kandidatin Sokol Olldashi, sapo Partia Demokratike humbi zgjedhjet e përgjithshme dhe kaloi në opozitë.
Basha u rizgjodh kryetar i partisë për një mandat të dytë në verën 2017 përballë ish kryetarit Eduard Selami, sapo Partia Demokratike humbi zgjedhjet sërish.
Ai u rizgjodh kryetar i partisë për një mandat të tretë në verën 2021, përballë disa kandidatëve, Harxhi, Kadilli, Shehaj, sapo Partia Demokratike humbi sërish zgjedhjet në pranverën e atij viti.
Mbetet për t’u parë se çfarë rrjedhash do të marrin zhvillimet brenda Partisë Demokratike pas rizgjedhjes në krye të Partisë Demokratike të Bashës, i cili përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar pas shpalljes non grata nga ShBA-të, duke deklaruar se në strukturat e kësaj partie nuk ka vend për asnjë non grata të shpallur nga aleati strategjik i Shqipërisë.