Lulzim Basha përjashton edhe Gazment Bardhin nga PD-ja
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përjashtuar deputetin Gazment Bardhi nga radhët e forcës së djathtë politike.
Vendimi i Kryesisë së PD erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjiale të PD, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij si dhe për veprime në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të PD, për mosnjohjen e institucioneve të dala nga vota e demokratëve.
Po ashtu dhe për ndjekjen e një agjende personale, përmes të cilës kërkon të zhvendosë PD nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dy vjeçar kundër Partisë Demokratike.
Kështu është bërë me dije përmes një komunikate për shtyp nga selia blu, lidhur me rastin.
Gjatë mëngjesit të 9 tetorit, ishte pikërisht Bardhi, ai i cili kërkoi që në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, të rikthente nënkryetarin e grupimit Berisha, Oerd Bylykbashi.
Në një dokument të dorëzuar në Kuvend, Bardhi informon kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për revokimin e vendimit të 15 janarit 2022 për përjashtimin e Bylykbashit nga grupi i PD.
Sipas dokumentit, grupi parlamentar, në një mbledhje të 19 shtatorit 2023 ka vendosur revokimin e vendimit të 15 janarit dhe rikthimin e Bylykbashit.
Mirëpo, sa duket, ky akt, s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka çuar vetë Bardhin drejt përjashtimit nga PD.
Lulzim Basha, në mbledhjen e Kryesisë së forcës politike gjatë mbrëmjes së 10 janarit 2023, vendosi të përjashtojë nga Partia Demokratike ish-kryetarin dhe bashkëthemeluesin e saj, Sali Berisha, së bashku me shtatë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.
Shtatë anëtarët e tjerë të përjashtuar, janë Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.
Një seri emrash gjithashtu u pezulluan nga organet e demokratëve.
Ndër këta të fundit, bënin pjesë emra të rëndësishëm, si: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Këlliçi, Edith Harxhi, Edi Paloka, Tritan Shehu dhe Oerd Bylykbashi.