Lulzim Peci: Taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe ka dhënë dy efekte të rëndësishme
Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka bërë me dije se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe ka dhënë këto dy efekte të rëndësishme; a) Kapacitetin shtetëror të Kosovës që të ushtrojë sanksione ekonomike ndaj Serbisë, b) Pavarësinë e tregut kosovar prej mallrave serbe, përmes së cilës janë thyer iluzionet e Serbisë për këtë varësi të imagjinuar.
“Mirëpo, në anën tjetër taksa 100 për qind nuk i shkakton dëm të madh Serbisë, pasi vetëm diku rreth 2.8 për qind të eksporteve të mallrave të saja vjen në Kosovë, dhe përmes saj nuk mund të mbrohen kufijtë e vendit. Në anën tjetër, përmes taksës jemi duke i larguar miqtë tanë nga Kosova, dhe po ia mundësojmë Vuçiqit që fsheh pas saj mosgatishmërinë e tij për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës”, ka shkruar Peci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka bërë thirrje që taksa të pezullohet në mënyrë të kushtëzuar.
“Prandaj, mendoj se taksa duhet të pezullohet në mënyrë të kushtëzuar, të ndalim lojën e luajtjes ‘kile’ me njëri-tjetrin, te ndërtojmë unitetin e spektrit politik të vendit për negociatat me Serbinë, duke përfshirë këtu edhe pozicionin e qartë për pacenueshmërinë e kufijve shtetëror. Negociatat me Serbinë nuk janë çështje elektorale por shtetërore. Si pozita e sotshme, ashtu edhe ajo e ardhshme do të detyrohet ta zbatojë po të njëjtën marrëveshje që do të nënshkruhet në mes palëve dhe garantuesve të saj ndërkombëtarë, e cila me fjalorin e BE-së quhet ‘marrëveshje ligjërisht obligative’”, ka thënë drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci.
/Epoka e re/