Lulzim Tafa dhe Sali Bashota fitues të çmimeve letrare në Mitingun e Poezisë në Gjakovë

09 nëntor 2024 | 18:17

Fitues i çmimit për librin poetik më të mirë midis dy mitingjeve është poeti Lulzim Tafa, për librin “Rivali i Adamit”. Ndërsa për poezinë më të mirë të lexuar në Orën e Madhe Letrare, fitues është poeti Sali Bashota me poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”.
Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizoi manifestimin tradicional, këtë vit me Akademi
Jubilare, për të shënuar 60 – vjetorin, duke kujtuar nismën e tij që nga viti 1964, nga një grup shkrimtarësh për të udhëtuar deri sot, me shumë aktivitete, poezi, debate për kulturë, promovime veprash dhe shpërblime letrare.
Mitingu lindi në Gjakovë, por bashkudhëtoi me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, e me subjekte që ofruan përvojë duke shënuar shumë suksese. Sikur u tha nga prononcimet e disa pjesëmarrësve, Mitingu i Poezisë nuk u ndal as në kohën kur duhej të kërkohej leje speciale dhe kur bëheshin ndjekje, madje edhe ndalesa ndaj fjalës së shkruar shqipe. Këto pohime u përmendën nga shkrimtarët Sabri Hamiti, Milazim Krasniqi, e shumë të tjerë.
Pjesëmarrësit e këtij edicioni i përshëndeti kryetari i Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjini, duke theksuar se Mitingu që mbahet në Gjakovë për kaq vite, ka sjellë kujtime për shumë gjenerata, prandaj edhe është i gjithë shkrimtarëve. Më tej shtoi se Gjakova, do të presë jubile edhe më tej, sepse këtë manifestim të përvitshëm letrar, e kemi aset shpirtëror.
Njëri nga themeluesit e Mitingut, Jusuf Buxhovi, tha se Gjakova kishte qysh atëherë shkrimtarë që patën nisma për të organizuar e për të shkruar, e që fatkeqësisht shumica nuk janë më me ne. Tribuna  60 vjet Mitingu të Poezisë, Platforma e Klubit që të ruhen edhe këtë vit aktivitetet tradicionale u realizua, me temën bosht “60 vjet Mitingu i Poezisë”, për të cilën referoi Muharrem Kurti, kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, duke dhënë informacione të rëndësishme për të gjitha fazat e mbajtjes së këtij manifestimi. Kurti tha më tej se kujtojmë këtu, pjesëmarrjen në Miting të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Visar Zhitit, Natasha Lakos, Fatos Kongolit, Zija Çelës e shumë e shumë të tjerëve, edhe kur ndërmjet nesh kishte kufij hermetikë e ndarës deri në qiell. Pra, Mitingu i Poezisë e shpërtheu kufirin shqiptaro-shqiptar me festën poetike në Gjakovë.
Po ashtu në Mitingun e Poezisë kanë marrë pjesë edhe poetë të shquar nga ish – republikat e Jugosllavisë, si Jasha Zllobec, Jevrem Bërkoviq etj. Agim Byci, po ashtu pjesëmarrës i mitingut nismëtar, solli para publikut kujtimet e atyre viteve, duke mbjellë në rininë shkollore sensin krijues dhe çdo vit shtoheshin gjeneratat për t’u bërë më vonë organizim e manifestim për tërë qytetin. Sipas Agim Bycit, Klubi Letrar dhe vetë Mitingu, u bënë shkollë për shumë shkrimtarë që më vonë bëhen emra të mëdhenj të letërsisë shqipe.
Ora Qendrore e Poezisë
Në Orën Qendrore të Mitingut, në konkurrencë, lexuan poezi Sabri Hamiti, Naime Beqiraj, Milazim Krasniqi, Sali Bashota, Lulzim Logu, Lulzim Tafa, Anton Marku, Migena Arllati, Prend Buzhala, Agim Desku etj.
Duke qenë se poezitë i nënshtrohen konkurrimit për çmimin “Ali Podrimja”, fitues i poezisë më
të mirë, u shpall Sali Bashota, me poezinë “Çka bëni ju atje të dielën”.
Traditë e mitingut është edhe zhvillimi i garave në mes të rinjve krijues nga shkollat fillore e të
mesme “Yllka Domi”. Në përkujdesjen e Vjollca Kuqit, gara ishte tejet konkurruese, por çmimi fitues iu nda katër nxënësve: Sara Gjoshi, Albiona Fetahu, Alisa Kodraj dhe Erjon Xhiha.
Çmimet Jubilare, Çmimet Jubilare i ndau kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe Drejtori i Bordit të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, poeti Engjëll I. Berisha. Me këtë rast, u bë me dije se gjatë viteve të shkuara janë ndarë çmime e mirënjohje për të gjithë ata që ishin kontribues dhe udhëheqës të Mitingut, e që këto çmime nuk mund të dyfishohen. Prandaj sot nderohen ata që kanë merita dhe nuk janë shpërblyer deri më sot. Poeti Berisha, shtoi se po punohet në monografinë e Klubit ku do të figurojnë emrat e të gjithëve, për të mos u shlyer kurrë. Në këtë përvjetor, Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, u kujdes të ndajë çmimet jubilare për ata që kanë dhënë kontribut me vite të tëra. Me çmimet post – mortum, ish-kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe shkrimtarin Teki Dërvishi. Me çmime të veçanta jubilare u nderuan Jusuf Buxhovi, Besnik Mustafaj, Sabri Hamiti dhe Agim Byci.
Mirënjohjet Jubilare. Me Mirënjohje Jubilare u nderuan Milazim Krasniqi, Agim Vinca, Naime Beqiraj, Jeton Kelmendi, Iljaz Bobaj, Qemajl Juniku, Albert Shala, Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë. U shpërblye me mirënjohje edhe kryesia e klubit “Gjon Nikollë Kazazi”, Muharrem Kurti, Engjëll I. Berisha, Migena Arllati dhe Vjollca Kuqi. Gjithashtu me mirënjohje u nderuan Blerim Valla dhe Shefqet Dinaj, si dhe mediet Radio Gjakova dhe “Syri Vision”.
Me çmimin tradicional “Din Mehmeti”, për librin më të mirë të botuar midis dy mitingjeve u vlerësua poeti Lulzim Tafa për librin me poezi “Rivali i Adamit”.
Java e promovimeve:
Si gjithnjë u organizua java e promovimeve, e që këtë vit kishte katër aktivitete, duke filluar me
orën letrare për të rinj “Yllka Domi”, pastaj me promovimin e dy librave të autores Diana Marku: “Brenga me fytyrë vajze” (poezi) dhe  “Të gjithë poshtë urës” (dramë). Gjithashtu, u promovuan romani “Libri për Gjakovën” i shkrimtarit Jusuf Buxhovi, libri me poezi “Duke pritur ditën e tetë”, i poetit Anton Marku dhe libri me tregime “Albani nuk flet shqip”, i  autores Angjelina Markut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vazhduar takimet me…