“Lum Haxhia”: 10 gushti, një ditë e përgjakshme dhe e lavdishme. Pesë çlirimtarë ranë në altarin e lirisë

10 gusht 2021 | 12:58

Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka kujtuar ditët më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njëkohësisht edhe më të dhimbshmet të gushtit të vitit 1988. Abazi që gjatë luftës ka pasur pseudonimin “Lum Haxhia”, kujton 10 gushtin e luftës së Junikut dhe rënien në altarin e lirisë të ushtarëve më të zotë në këtë betejë.

10 GUSHTI ËSHTË DITË HISTORIKE DHE E LAVDISHME E JUNIKUT NË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË USHTIRSË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS (UÇK)

10 gushti, kudo që të jem më kthen pas në kohë, në vitin 1998, në Junik – një vatër jehonë madhe e UÇK.

Edhe tash në Australinë e largët, luftimet e asaj dite më dalin parasysh si në një ekran, te freskëta, thuaja se po ndodhin m’u tash.

Një ditë e përgjakshme por edhe e lavdishme. Pesë çlirimtarë ranë në Altarin e Lirisë:

Luftëtari legjendar Bekim Berisha – Abeja,

Bedri Shala,  Elton Zherka, Përmet Vula dhe Bashkim Leku.

Po më 10 gusht kishin flijuar jetët e tyre shumë çlirimtarë në shumë fronte të luftës, që Kosova të bëhej e pavarur, populli të ishte i lirë dhe qeveritë të jenë në shërbim të mirë të qytetarëve, që të ndalej e keqja, diskriminimi, shtypja e padrejtësitë. Këtë duhet ta kujtojnë gjithmonë të gjitha qeveritë e Kosovës.

Për Bekim Berishën dhe Bedri Shalën ndonëse ishin nisur me destinacion Drenicën, fronti i luftës në Junik ishte një betejë e UÇK të Komandantit Legjendar Adem Jashari, dhe ishte një betejë që duhej bërë deri në flijim. Të dytë u bënë forcë e shtuar e qëndresës së atyre ditëve në Junik. Bedri Shala ndonëse ishte goditur nga predha e Gulinovit -kurrë nuk nxori një ofshamë. Bekim Berisha – para se t’i mbyllte sytë amshueshëm tha: “Kosova do ta fitojë këtë luftë, do të çlirohet!” Dy shokë, dy bashkëluftëtarë, ranë heroikisht për një ditë. U kthyen në Flakadan të Lirisë.

Elton Zherka e Përmet Vula, të njësitit antitankist, në kundërsulm, morën plagë të lirisë. Përmeti ishte shumë i rraskapitur nga plaga, por shumë dinjitoz. Eltonin e kam ende parasysh: me fjalë heroike: “Nesër do të dal përsëri në front!” – thua se kështu po i rezistonte vdekjes, duke i thënë se nuk më mposhtë dot. Dhe vërtetë: vdekja e bëri të veten, por Eltoni u bë i pavdekshëm me heroizmin e tij.

Bashkim Leku, një luftëtar nga Drenica, në frontin përballë forcave serbe, sypatrembur në kundërsulm u flijua trimërisht.

Pamjet nga varrimi që u bëmë të rënëve, natën, nën breshërinë e granatave që nuk pushonin i kam shumë të freskëta, njëlloj si natën e 10 gushtit.

Mbajta një fjalim të shkurtë, ku, ndër të tjera, thashë: “Luftën çlirimtare nuk do ta ndalim deri në fitore. Betohemi. Lavdi!”

Luftëtarët e UÇK në nën zonën e Junikut, këtu dhe në të gjitha fshatrat e subordinuara, bënë një luftë heroike, ani se shumë të pabarabartë në armatim dhe municione.

Pati me dhjetëra çlirimtarë të plagosur.

10 gushti është ditë historike për Junikun, Ditë e Nderit dhe e Lavdisë, e Qëndresës dhe e Flijimit, si pjesë integrale e luftës së UÇK.

Lavdi të gjithë të rënëve në luftën çlirimtare!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasaporta e vaksinës antiCovid-19, e quajtur ndryshe Green Pass ka…