Lumbardh Dellova, “Ylli i Javës”
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 33-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Lumbardh Dellova.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Enes Shosholli, Avni Shala dhe Bujar Guta.
Ky komision u dakordua që epiteti i yllit të javës t’i takojë mbrojtësit të FC Ballkani, pasi në ndeshjen kundër Dritës ishte i pakalueshëm në mbrojtje si dhe në fund shënoi golin vendimtar, që i solli fitoren portokallezinjve (2:1) dhe i la në garë për titullin e kampionit.
Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e FC Ballkani, Lumbardh Dellova e ndau Dardan Kajdomqaj, menaxher i shitjes në Albi Group.
Pasi mori këtë çmim mbrojtësi i FC Ballkani u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme, derisa beson se skuadra e tij edhe në tri ndeshjet e mbetura do të arrijë fitore dhe në fund do ta mbrojë titullin e kampionit.