Lumbardh Dellova, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 12-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Lumbardh Dellova. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Flamur Sinani, Lulzim Rrmoku e Bujar Asllani.
Ky komision vendosi që qendërmbrojtësi i FC Ballkani, Lumbardh Dellova të shpallet “Ylli i Javës”, pasi ai me golin e tij vendosi fituesin e derbit të xhiros kundër FC Drita me rezultat 1-0.
E pikërisht goli i Dellovës i mundësoi FC. Ballkani ta forcojë pozitën e parë në renditje. Portokallezinjtë vazhdojnë të mbesin të pamposhtur në këtë edicion.
Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e FC Ballkani, Lumbardh Dellova e ndau Andi Sadiku, dizajner grafik në Albi Group.
Pasi mori këtë çmim qendërmbrojtësi u shpreh i lumtur për fitoren dhe për vlerësimin si më i miri i xhiros.
“Jam shumë i lumtur për fitoren e po ashtu edhe për golin që e shënova në derbi. Ndeshja ishte e mirë duke e pas parasysh që ishim të lodhur pak si ekip, por e rëndësishme ishte të marrim tre pikë dhe jemi shumë të lumtur. Jemi që dy vite me trajnerin Daja, nga eksperienca e të cilit kemi mësuar shumë. Duhet çdo ndeshje të futemi të motivuar, të bëjmë një hap drejt klubeve evropiane”, ka thënë Dellova për faqen zyrtare të FFK-së.