Lumbardh Salihu zyrtarisht kandidat i LDK-së për deputet: Synoj krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë
Lumbardh Salihu edhe zyrtarisht është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet.
Salihu ka thënë se është jashtëzakonisht i nderuar nga propozimi i Lumir Abdixhikut për të qenë kandidat për deputet.
“E shoh këtë mundësi si një përgjegjësi të madhe dhe jam plotësisht i përkushtuar për të dhënë kontributin tim maksimal, duke synuar mbështetjen e qytetarëve tanë, që LDK të dalë fituese në këto zgjedhje. Programi ynë, “Rruga e Re”, ofron një vizion të qartë për zhvillimin dhe një të ardhme më të ndritur për vendin tonë”, ka shkruar Salihu.
Fituesi i BIG Brother VIP Kosova 3 ka thënë se nëse fiton për deputet, do të përqëdrohet në çështjet e rinisë dhe sportit.
“Si deputet i ardhshëm, do të përqendrohem kryesisht në çështjet e rinisë dhe sportit, duke synuar krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë tanë që të realizojnë ëndrrat e tyre këtu, në Kosovë. Besoj fuqimisht se investimi në rini dhe sport është themeli i një shoqërie të shëndetshme, të drejtë dhe të suksesshme”, ka deklaruar Salihu.
Ndryshe, babai i Lumbardh Salihut, Salih Salihu ishte në të kaluarën deputet i VV-së.