Lumezi: 48 policë të arrestuar dhe dy doganierë nga aksioni “Pika”, disa janë në arrati
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka konfirmuar se 50 policë janë arrestuar gjatë operacionit “Pika” që është zhvilluar të hënën në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme, Lumezi ka thënë se në mesin e 50 të arrestuarve, dy edhe janë zyrtarë të doganës.
“Pas një periudhe hetimore të gjatë, njëvjeçar saktësisht nga muaji maj, kemi filluar hetimin e këtij rasti në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës. Me urdhër të kryeprokurorisë speciale, kemi angazhuar dy prokurorë në hetimin e kësaj çështje penale dhe gjatë hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë që të sigurojmë prova të mjaftueshme për krimin e dyshimit të arsyeshëm se është kryer vepër penale. Kemi pasur informata se janë duke u kryer ryshfete në pikat doganore”, ka thënë Lumezi.