Lumezi dhe shefi i EULEX-it pajtohen për bashkëpunim në çështjet e krimeve të luftës  

16 mars 2020 | 15:06

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka zhvilluar takim njoftues me shefin e ri të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Fillimisht, kryeprokurori Lumezi e ka uruar Wigemarkun për detyrën e re si shef i EULEX-it, me ç’rast e ka vlerësuar si të rëndësishëm rolin e këtij misioni në monitorimin e punës së institucioneve gjyqësore, me theks të veçantë të sistemit prokurorial.

Në këtë kontekst, është diskutuar nevoja për avancimin e bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta në funksion të forcimit të sundimi të ligjit në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar shefin e EULEX-it me punën dhe vendosmërinë e Prokurorit të Shtetit në ndjekjen e të gjithave formave të krimit, si edhe për sfidat dhe objektivat e këtij institucioni që kanë për qëllim fuqizimin e sistemit prokurorial dhe ngritjen e besimit qytetarë në institucionet e drejtësisë.

Më tutje, Lumezi e ka informuar të parin e EULEX-it edhe me integrimin dhe punën në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, e cila përbënë shembull të mirë të funksionimit shumetnik, ndërnjerëzor dhe ndërkolegial.

Ndërsa shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark, ka shprehur gatishmërinë që brenda mandatit të cilin e ka misioni i EULEX-it, të përkrah dhe mbështes punën e kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjithë prokurorëve në promovimin e sundimit të ligjit.

Të dy bashkëbiseduesit kanë biseduar edhe për çështjet që ndërlidhen me reformat legjislative dhe për ecurinë e tyre. Po ashtu, ata e kanë vlerësuar si të nevojshëm thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në çështjet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, personat e pagjetur dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka mbajtur sot një takim…