Lumezi, drejtorit të ATK-së: Luftimi i krimeve ekonomike e financiare, prioritet i prokurorisë
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, me të cilin ka biseduar për aspektet që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e veprave penale të evazionit fiskal, dukuri këto që dëmtojnë në masë të madhe ekonominë e vendit.
Gjatë këtij takimi, ata kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndër-institucional mes Prokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka potencuar se prioritet kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve ekonomike, krimeve financiare dhe veprave tjera penale, me ç’rast ka thënë se ATK-ja do ta ketë përkrahje të plotë në këtë drejtim.
Ndërsa, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se prioritet i tij është luftimi dhe parandalimi i evazionit fiskal, dhe për këtë ai ka theksuar se është e nevojshme mbështetje nga Prokuroria e Shtetit.
Lumezi e Murtezaj janë pajtuar që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve, në funksion të rritjes së efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike dhe financiare.
/Epoka e re/