Lumezi në Kroaci: Kosova e vendosur në luftën kundër krimit dhe terrorizimit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, me ftesë të prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Jeff Sessions është duke marrë pjesë në një tryezë të karakterit regjional e cila po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Kjo tryeze është organizuar nga Departamenti i Drejtësisë të ShBA-së dhe OPDAT-it. Pjesëmarrës në këtë tryezë është prokurori i përgjithshëm i ShBA-së, Jeff Sessions, kryeprokurorët dhe drejtorët e policive nga të gjitha shtetet e rajonit, si Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në fokus të diskutimeve të kësaj tryeze janë temat si: krimi transnacional, terrorizmi dhe bashkëpunimi juridik ndërkombëtar.
Në prezantimin e tij, kryeprokurori Lumezi, ka paraqitur të arriturat e Prokurorit të Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit, me ç’rast ka treguar përvojat e Kosovës në luftë kundër këtyre formave të krimit.
Lumzi ka theksuar se Kosova është e vendosur të kontribuojë në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe krimeve trans-nacionale, dhe të bashkëpunojë me të gjitha shtetet e rajonit, por edhe me vendet tjera që mund të mos jenë fqinj në kufijtë gjeografik, siç janë SHBA-ja dhe shtetet tjera, me qëllim që të shkëmbejmë informata dhe prova të mjaftueshme për t’i vënë para përgjegjësisë penale kryerësit e këtyre veprave penale.
/Epoka e re/