Lumezi thotë se prioritet do të jetë ndjekja e krimit të organizuar
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur të martën në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, me të cilin kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit në mes të institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Odës Ekonomike të Kosovës.
Po ashtu, Lumezi e Rukqi, kanë diskutuar edhe për çështjet me interes, për ndjekjen dhe zbulimin e veprave penale që bëhet kundër komunitetit të biznesit në Kosovë, si dhe, rritjes së sigurisë juridike për investitorët nga Kosova dhe vendet e huaja.
Gjithashtu, ata kanë biseduar për raportimin e krimeve të shumta që bëhet ndaj bizneseve në Kosovë, si dhe, ndaj sektorit bankar, me qëllim që të sigurohet mbrojtja juridike dhe të rritet efikasiteti në ndjekjen e kryerësve të këtyre veprave penale.
Kryeprokurori Lumezi dhe Kryetari Rukiqi, kanë diskutuar edhe për mundësin që në kuadër të Prokurorit të Shtetit të caktohet një prokuror për çështje të biznesit dhe investimeve, me qëllim që t’iu ofrohet siguria e duhur këtij sektori.
Lumezi e Rukiqi kanë konstatuar se kjo është rruga e duhur për të mbrojtur veprimtaritë ekonomike dhe për të zhvilluar qarkullimin e lirë të kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.
Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se synim kryesor i Prokurorit të Shtetit, është luftimi i suksesshëm i krimit në Republikën e Kosovës dhe kontributi në sigurimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, ka theksuar se prioritetet kryesor është ndjekja e suksesshme e krimit të organizuar, dhe veprave penale që rrënojnë bazat e ekonomisë së vendit.
/Epoka e re/