Lumezi viziton institucionet e larta shtetërore të drejtësisë në Kroaci
Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Kroacisë, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, së bashku me prokuroren e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) Drita Hajdari, kanë vizituar Prokurorinë e Shtetit të Kroacisë.
Ata janë takuar me kryeprokurorin e Shtetit të Kroacisë Dinko Cvitan, me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kroacisë Drazen Jelinic si dhe me drejtuesen e USKOK-ut, Tamara Laptash.
Kryeprokurori Lumezi dhe kryeprokurori Cvitan, kanë diskutuar për sfidat dhe vështirësitë e të dyja shteteve në fushën e sundimit të ligjit, me theks të posaçëm për veprimtarinë e zyrës së specializuar për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kroaci, e cila ka treguar sukses të madh gjatë procesit për anëtarësimin e Kroacisë në BE.
Gjatë takimit u bisedua edhe për metodat e hetimeve financiare si dhe për praktikat me të mira në bashkërendimin e veprimeve ndërinstitucionale për identifikimin dhe qarkullimin e të dhënave financiare.
Gjithashtu, Lumezi dhe Cvitan, janë pajtuar që është e nevojshme që të ngritët bashkëpunimi në mes të shteteve të rajonit për të intensifikuar dhe hetuar grupet kriminale transnacionale, si dhe për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën penale.