LUMI I SHALËS – MREKULLIA NË ALPE QË SHKAKTOI BUM TURISTIK
Guidave turistike në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës viteve të fundit i është shtuar edhe një, lugina e lumit të Shalës. Kjo luginë është një zonë e bukur dhe e paprekur lumore që po tërheq vëmendjen e veçantë të turistëve dhe të agjencive turistike. Nëpër këtë luginë, si një gjerdan, përshkon lumi malor i Shalës.
Lumi i Shalës është degë e lumit Drin, që buron te fshati turistik i Thethit në Alpet Shqiptare dhe derdhet në liqenin e Komanit. Tërë rrjedha e tij prej 37 km përshkohet brenda Alpeve, me rënie mesatare prej 22 metra për kilometër. Ky lumë dallohet për ujin e pastër të ngjyrës së kaltër, me prurje mesatare vjetore 34 m3/sec.
Rrjedha e Lumit të Shalës karakterizohet me një natyrë të paprekur dhe me bukuri të rralla, me luginën plot gjelbërim, me ujin e kaltër, me shkëmbinjtë e lartë e të thepisur, që e rrethojnë. Rrjedha e vrullshme e ujit nëpër luginë krijon një panoramë të mahnitshme, për çka është quajtur “Tajlanda shqiptare”.
Viteve të fundit Lumi i Shalës është kthyer në një pikë tërheqëse turistike, e vizituar dendur nga turistë të vendit dhe të huaj, e cilësuar si njëra ndër perlat më të bukura të Alpeve Shqiptare dhe të Shqipërisë. Veçanërisht grykëderdhja e Lumit të Shalës në lumin Drin, përkatësisht në Liqenin e Komanit krijon një atraksion, një margaritar turistik që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, kryesisht vizitorë njëditorë.
Bumi turistik i dy – tri viteve të fundit ka nxitur banorët vendorë të shfaqin ide, të ndërmarrin nisma e të realizojnë projekte për plotësimin e nevojave të turistëve, siç janë ndërtimi i shpejt i objekteve hoteliere, pajisja me varka për barjen e turistëve nëpër liqen në relacionin Koman – Lumi i Shalës dhe Fierzë – Lumi i Shalës e anasjelltas. Çdo ditë aty në Lumin e Shalës shkojnë qindra turistë, ndërsa fundjavëve edhe shumë më shumë, me mijëra turistë. Kapacitetet hoteliere ende janë të kufizuara, ato nuk mjaftojnë, sidomos gjatë ditëve të fundëjavës. Mirëpo, me këtë ritëm të shpejt të zhvillimit, kjo pikë e pushimit dhe rekreacionit do të rregullohet e të përgatitet edhe më mirë për t’i pritur vizitorët e shumtë.
Vendi ku Lumi i Shalës bashkohet me Drinin në Liqenin e Komanit ndodhet në zonën e Dukagjinit. Kjo zonë, pos mrekullive natyrore që nuk përshkruhen, njihet edhe për legjendat mesjetare, sidomos për ato që lidhen me princin Lekë Dukagjini. Aty Leka i kishte kaluar vitet e fundit të jetës së tij. Nga një shkëmb i lartë strategjik, që sot quhet Guri i Lekës, vëzhgonte dhe mbronte vendin nga depërtimi i ushtrisë osmane.
Në rrjedhën e pastër e të vrullshme, në Lumin e Shalës janë krijuar kushte të favorshme për peshkim, pasi këtu rritet masivisht trofta alpine. Në lumin, në luginën e tij dhe në malin, që ngritet deri në qiell, po zhvillohen sportet malore, lumore dhe të aventurës. Turistët i shijojnë bukuritë e zonës edhe gjatë lundrimit nëpër liqen me varkë, pastaj me zhytje në ujin e freskët të lumit, me ZIP-line, por edhe me ngjitje nëpër majat e larta e të thepisura të Alpeve, nga ku shfaqen gjithandej pamje spektakulare. Dhe, në fund, nën këmbët e malit shtrihet plazhi i vogël dhe kampingu me çadra për ata që dalin në piknik.
Në Lumin e Shalës turistët vijnë nga dy drejtime; nga Shkodra, Tirana, Lezha etj. udhëtojnë në rrugë tokësore deri në Koman, pastaj vazhdohet lundrimi me varka nëpër liqen deri në pikën turistike. Nga Gjakova, Prishtina, Prizereni e vende tjera turistët udhëtojnë në rrugë tokësore deri në Fierzë, nga ku vazhdojnë lundrimin me varka nëpër liqen deri te Lumi i Shalës. Udhëtimet, që kryesisht organizohen nga agjencitë turistike, janë të gjata e të lodhshme, sidomos gjatë lundrimit nëpër liqen, por janë tërhjeqëse e panoramike, ngase na përcjellë një natyrë të larmishme dhe e mrekullueshme e brigjeve të Liqenit të Komanit dhe e Lumit të Shalës. Varkat që bartin turistë nëpër liqen janë kryesisht me kapacitet për 20 persona, por ndodhë që aty të futen deri 50 persona e më shumë. Shumica dërmuese e dhjetra varkave që transportojnë turistë nëpër liqen janë primitive, të frikshme e të rrezikshme, pa leje, të pasigurta e pa pasur kushte elementare për punë. Në këtë rast shteti duhet të marrë masa për t’i kontrolluar ato, para se të shkaktohet ndonjë tragjedi, ashtu si ka ndodhur më parë. Gjithashtu, shteti duhet të marrë masa të nevojshme edhe për ta pastruar liqenin nga mbeturinat plastike, që aty – këtu prore notojnë mbi ujë.
Përjetim i veçantë dhe mbreslënës është lundrimi me varka nëpër liqenin e Komanit. Lundrimi njëorë e gjysëm nga Komani dhe dyorësh nga Fierza deri në pikën turistike të Lumit të Shalës, si dhe qëndrimi te Lumi i Shalës mbetet i paharrueshëm përjetësisht. Aty aq bukur gërshetohet lumi me liqenin, qielli me mali e majat e thepisura, vend i posaçëm për eksplorimin e natyrës magjike.
Shkruan: Berat Luzha