Lumi “Lepenc” me pamje të re, nga sot edhe me troftë
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka marrë në mbikëqyrje të mëtutjeshme lumin “Lepenc”, pas rehabilitimit të tij në kuadër të ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.
Me këtë rast, lumi u pasurua edhe më peshq të llojit troftë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka thënë se akti i sotëm është shembull i mirë për qytetarët se si duhet ta trajtojmë ambientin duke e mbajtur të pastër atë.
Ai ka shtuar se krahas projekteve gjigante infrastrukturore, MIT-ja është e përkushtuar që të mos e degradojë natyrën, por të ndihmojë në rehabilitimin e saj sa herë që ka nevojë.
Ministri Fatmir Matoshi ka falënderuar ministrin Lekaj dhe dikasterin që ai drejton për punën e shkëlqyer në rehabilitimin e kësaj pjese të lumit “Lepenc”.
Shtrati i lumit “Lepenc” në gjatësi prej gjashtë kilometrash është i trajtuar me materiale natyrore të zonës, kurse që nga rehabilitimi i tij është vërejtur rikthim i florës dhe faunës së kësaj zone.
Njëkohësisht lumi është pastruar nga mbeturinat dhe mbetjet urbane që ishin prezentë para fillimit të punimeve.