Lumir Abdixhiku mbledh Kryesinë e partisë: Pritet të vendoset për Prishtinën e Prizrenin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thirrur Kryesinë e partisë, për të diskutuar disa nga aktualitetet politike në vend.
Mbledhja e kryesisë, do të fillojë nga ora 16:00, dhe temë diskutimi do të jenë koalicionet e LDK-së në disa komuna, sidomos për Prizren e Prishtinë.
Mbajtjen e mbledhjes e ka konfirmuar për Gazeta Blic edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
“Po, kemi mbledhje të Kryesisë”, ka thënë ai për Gazeta Blic, por pa dhënë detajet tjera.
Siç merr vesh Gazeta Blic, në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për rezultatin e zgjedhjeve të fundit, si dhe për pozicionimin e kësaj partie në nivel qendror – sidomos në raport me dialogun me Serbinë.
Çështja më e diskutueshme që pritet të jetë është ajo e koalicionit apo jo me Partinë Demokratike të Kosovës, në Komunën e Prizrenit. Kjo pasi që, shumica e anëtarëve të kryesisë së LDK-së në Prizren, kanë shprehur vullnetin e tyre për hyrje në koalicion me PDK-në, por që siç merr vesh Gazeta Blic, Lumir Abdixhiku dhe Anton Quni, janë duke e kundërshtuar një të tillë.
Ndërkohë, Gazeta Blic ka marrë vesh se të martën, Abdixhiku ka takuar nënkryetarët e LDK-së në Prizren, Xhavit Ukaj, Hatim Baxhaku dhe Hanefi Muharremi, ku është diskutuar pikërisht koalicioni apo jo me PDK-në në Prizren.
Siç merr vesh gazeta, Abdixhiku u ka thënë atyre se vendimi përfundimtar do të merret nga kryesia qendrore e LDK-së, e cila do të mbahet sot.
“Në takimin e së martës është diskutuar edhe për ofertën e Shaqir Totajt për bashkëqeverisje në Prizren. Oferta është katër drejtori, nëkryetarin e Komunës ose kryesuesin e Kuvendit Komunal.”, tha ky burim.
Në këtë mbledhje pritet të diskutohet edhe për qeverisjen në Prishtinë, ku edhe një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, LDK ende nuk ka arritur asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje. Për më shumë, Përparim Rama ende nuk e ka emëruar as edhe një drejtor.
Gjithashtu, në këtë mbledhje do të diskutohet edhe përfshirja apo jo direkt e LDK-së në temën e dialogut me Serbinë.
Kjo pasi që, ditë më parë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se do të jetë vetë ai përfaqësues i Lidhjes Demokratike, në takimet me palën serbe në Bruksel.
Përkundër kësaj deklarate nga Lutfi Haziri, mësohet se ka zëra me ndikim brenda kryesisë së LDK-së, që e kundërshtojnë kategorikisht përfshirjen e kësaj partie në dialog.