Lunacek boton librin për Kosovën më 14 shkurt
Më 14 shkurt, ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, do të promovojë librin e saj në Vjenë.
Ky libër, siç ka thënë vetë Lunacek, vjen me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Më 14 shkurt 2018, promovoj librin e botuar nga Wieser Verlag në lidhje me 8 vitet e mia si raportuese e Kosovës në BE ”, ka bërë të ditur ajo përmes një postimi në profilin e vet në “Twitter”.
Libri, me titull ‘“Të ndërtosh paqen do të thotë të ndërtosh një rrugë të largët” – nga Brukseli në Fushën e Mëllenjave dhe mbrapsht: Rruga e Kosovës drejt BE-së dhe kontributi im në të’, flet për angazhimet e saj në përafrimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndonëse kjo rrugë është ende e gjatë.
Në këtë promovim, pjesë e diskutimeve do të jenë Wolfgang Petritsch, ish – emisar i BE-së për Kosovën (1998-1999), si dhe Verdran Dzihic, hulumtues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin e Vjenës dhe ekspert për Ballkanin.
Kujtojmë se Ulrike Lunacek, ish-kryetare e Partisë së Gjelbër, ka qenë për 8 vjet raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian si dhe nënkryetare e këtij institucioni për një kohë të gjatë, por ka qenë edhe një përkrahëse e madhe e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe e demokratizimit dhe integrimit evropian të vendit tonë.
Ajo dha dorëheqje vitin e kaluar për shkaqe parimore pasi i humbi zgjedhjet parlamentare në Austri ndaj kundër-kandidatit Sebastian Kurz.