Lushaku-Sadriu: Arsimi me Kurtin, dorëzim dhe dështim
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Jehona Lushaku Sadriu, ka thënë se gjendja në arsim me kryeministrin Albin Kurti është dështim e dorëzim.
Lushaku-Sadriu ka thënë se hedhja e barrës për keqqeverisje mbi supet e prindërve nuk është vetëm një akt i papranueshëm, por edhe një shfaqje e pastës e hipokrizisë.
“Sipas logjikës së kryeministrit Kurti, trinomi i fajësisë për gjendjen e arsimit përfshin nxënësit, mësuesit dhe prindërit – por asnjëherë qeverisjen e tij të paaftë. Në tre vitet e tij në detyrë janë alokuar plot 370 milionë euro për arsimin. Përfundimi? As strategji, as vizion, e as zgjidhje konkrete për sfidat e përballuara”.
“Premtimeve për ndërtimin e qindra çerdheve u mungon realizimi; as pesë nuk janë ndërtuar në tre vite. Bibliotekat e reja? Janë vetëm një ëndërr e parealizueshme. Nismat për të rritur cilësinë e arsimit mungojnë plotësisht”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Më tutje, Lushaku-Sadriu ka thënë se në vitin e fundit të mandatit të qeverisë Kurti, askush nuk mund të pretendojë se arsimi ishte prioritet i një qeverie që dikur i etiketoi qytetarët si “analfabetë të fshehtë”.
“Zhvillimi i vërtetë arsimor kërkon më shumë se fjalë të bukura; kërkon përkushtim të vërtetë, përditë dhe transparent”, ka thënë shkruar ajo.