Lushaku-Sadriu: Mësimi duhet të fillojë qysh nesër
Jehona Lushaku-Sadriu, kryetare e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i ka bërë thirrje qeverisë që të gjejë një zgjidhje sa i përket grevës në arsim që është duke zgjatur për pesë javë rresht.
Në një konferencë për media, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se qeveria duhet të gjejë mënyrën për të dialoguar me SBAShK-un dhe mësimdhënësit.
“Nuk ka asnjë justifikim që kjo krizë në arsim të mbahet nga qeveria jonë. Duke e bllokuar procesin mësimor në shkollat publike dhe duke e lejuar funksionimin e shkollave private, kanë krijuar pabarazi. Kjo e bllokon sistemin publik dhe ua mundëson atyre private të funksionojnë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
“Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje dhe të dialogojë pa ndalur për të ardhur tek ajo. Mësimi duhet të fillojë qysh nesër. LDK-ja e mbështet dhe përkrah çfarëdo zgjidhje që arrihet”, ka shtuar ajo.