Lushi: UÇK-ja largoi çdo uniformë serbe nga Kosova, tani rastin për luftë e kanë fjalamanët
Veprimtari dhe ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, i cili jeton në ShBA, ka reaguar ndaj atyre që po e kritikojnë luftën e UÇK-së.
Duke ironizuar me pretendimet e tyre, ai ka thënë se tani e kanë radhën ta organizojnë një luftë kritikuesit e UÇK-së dhe llapaqenët (fjalamanët).
“Sot Kosova ka gjykata. Ka ushtri të organizuar. Ka polici dhe të gjitha shërbimet e sigurisë. Ka komandante supreme një juriste par exellance dhe një trime mbi trima. Kryeministër gjegjësisht drejtor politik një djalosh të ri dhe dijetar të të gjitha fushave. Simpatizantët, partizanët dhe të devotshmit e këtyre dy heronjve si dhe kritikuesit e imperfektivitetit të luftës çlirimtare të UÇK-së e kanë rastin ta nisin një luftë të re dhe ta bëjnë atë 100 për qind perfekte dhe shembullore që ta kenë xhelozi krejt ushtritë e botës. UÇK-ja arriti të detyronte largimin e çdo uniforme serbe nga Kosova. Shumë apo pak, varësisht sa beson në fjalë e jo veprime, UÇK-ja kaq bëri. Tash e kanë rastin llapaqenët dhe kritikuesit të na tregojnë si bëhen luftërat. Gjithmonë është më vështirë të flitet se sa të bëhen gjërat. Monday quarterbackin – i thonë amerikanët e mençur. Mezi pres thirrjen për mobilizim! Komandante, menjëherë pas myhybëve më zhurmaxhinjë, prapa teje do jem!”, ka shkruar Lushi në “Facebook”.