Lushnja dhe Fieri prodhojnë mbi 30 për qind të perimeve në Shqipëri

07 janar 2021 | 17:16

Shqipëria e rriti prodhimin e perimeve me 8 për qind në vitin 2019, duke e çuar totalin në 1.2 milion ton, 34 për qind e të cilave prodhohen në Fier dhe në Lushnjë. Siç raporton Instat, Divjaka është bashkia me prodhimin më të lartë të perimeve në rang vendi me 14.4 për qind të totalit. Në vitin 2019 prodhimi i perimeve në këtë bashki shënoi rritjen më të madhe në vend apo 38 për qind. Bashkia e Lushnjës është prodhuesi i dytë më i madh i perimeve me 13.9 për qind të totalit me një rritje me 7.5 për qind në raport me vitin 2018.

Prodhuesi i tretë më i madh i perimeve në vend është Ura Vajgurore me 82 mijë ton perime me 2019 me një rritje 3.1 për qind në raport me vitin e mëparshëm. Më tej prodhuesit më të mëdhenj të perimeve në vend janë Durrësi me 57 mijë tonë, Tirana me 48 mijë tonë dhe Rrogozhina me 40 mijë tonë.

Në krahun tjetër, bashkitë e Sarandës, Pustecit, Libohovës, Gjirokastrës, Dropullit, Kolonjës, Delvinës dhe Kamzës janë me nivelin më të ulët të prodhimit të perimeve në rang vendi.

Prodhimi i perimeve është i varur me së shumti nga përvoja dhe kushtet klimaterike të tokës. Myzeqeja, përveçse ka tokën e përshtatshme, ka edhe një përvojë të madhe për kultivimin e perimeve dhe zhvillimin e bujqësisë në tërësi që para viteve 1990. Por rritjen më të madhe vjetore të prodhimit të perimeve pas Divjakës shihet ta ketë pasur bashkia e Fushë-Arrëzit, ku sasia e prodhuar është rritur me 33 për qind më 2019. Me tej në bashkinë e Mallakastrës prodhimi i perimeve është rritur me 33 për qind dhe gjithashtu në bashkitë e Kolonjës dhe Klosit prodhimi në ton u rrit me nga 31 për qind për secilën. Puka dhe Korça i rriten gjithashtu prodhimin me mbi 20 për qind.

Ndërsa rënien me të mëdha të prodhimit më 2019 e patën bashkitë e Gjirokastrës me 23 për qind, Delvinës me 21 për qind, Libohovës me 17 për qind, Vlorës me 12 për qind dhe Përmetit me 10 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka publikuar një fotografi…