Lushtaku: Dega e PDK-së në Skenderaj është përgatitur për zgjedhjet e brendshme
Komisioni Zgjedhor i degës së PDK-së në Skenderaj ka mbajtur takimin e këtij organi ku ka diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e brendshme në nivel të degës.
Lajmin e ka bërë me dije përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Sami Lushtaku.
“Si kryetar i degës dhe kryetar i Komisionit Zgjedhor më këtë rast u shpreha se, Dega e PDK-së në Skenderaj është e përgatitur për këtë proces të rëndësishëm për partinë dhe të ardhmen e saj. PDK në Skenderaj do të krijojë mundësi të barabartë për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, për të gjithë anëtarët e PDK-së dhe qytetarët e Skenderajt”, ka thënë kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.
Ai ka ftuar intelektualë, mjekë, profesorë, të rinj profesionistë, të gjithë qytetarët që konsiderojnë se mund të japin kontribut në të mirë të vendit, që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke i siguruar se do të kenë hapësirë të mjaftueshme për të gjithë, që të kontribuojnë në avancimin e politikave dhe programit politik të PDK-së – Dekada e Re.
“PDK në Skenderaj gjatë procesit të brendshëm do të mbajë zgjedhje në të gjitha nivelet e organizimit, duke përfshirë kuvendet e nëndegëve, Kuvendin e degës dhe Kryesinë e degës”, ka thënë Lushtaku.
/Epoka e re/