Lushtaku: Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë sepse lufta jonë ishte luftë për liri, barazi e demokraci
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar për herë të parë pasi u ndal nga policia e EULEX-it në orët e vona të së premtes.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se gjatë gjithë jetës së tij është munduar të punojë me nder, duke pasur në rend të parë interesin e vendit dhe popullit.
“Jam krenar për gjithçka çfarë kam bërë për vendin tim, liria e të cilit erdhi pas luftës dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve e martirëve të cilët ranë gjatë luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999”.
“Në kërkim të Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë, ne shqiptarët kemi paguar çmim të lartë. Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë sepse lufta jonë ishte luftë për liri, barazi e demokraci”, ka shkruar Lushtaku.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë,
Dëshiroj të ju falënderoj përzemërsisht për interesimin dhe mbështetjen e madhe pas zhvillimeve të ditës së djeshme, të cilat kanë mundur të shkaktojnë shqetësime tek secili prej jush.
Gjatë gjithë jetës sime jam munduar të punoj me nder, duke pasur në rend të parë interesin e vendit dhe popullit tim.
Jam krenar për gjithçka çfarë kam bërë për vendin tim, liria e të cilit erdhi pas luftës dhe sakrificës së mijëra dëshmorëve e martirëve të cilët ranë gjatë luftës sonë çlirimtare të vitit 1998-1999.
Në kërkim të Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë, ne shqiptarët kemi paguar çmim të lartë. Drejtësisë nuk i kemi ikur asnjëherë sepse lufta jonë ishte luftë për liri, barazi e demokraci.
Kjo është e vërteta jonë!
Jam mirënjohës përjetësisht ndaj secilit prej jush e kështu do të jemi bashkë gjithmonë!
SL