Lushtaku: Drita ka një përparësi të vogël në derbi ndaj Gjilanit
Kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në përfundim të këtij stinori në Superligën e Kosovës në futboll.
Ndërsa ndeshja kryesore në fundjavë do të luhet në qytetin e Gjilanit, ndërmjet Dritës dhe Gjilanit. Trajneri i mirënjohur Tahir Lushtaku ka folur për këtë ndeshje, duke e cilësuar si një mëkat të madh që do të luhet pa tifozë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Dihet që derbi gjilanas është një derbi i zjarrtë, por kjo ndeshje zhvillohet pa praninë e tifozëve për shkak të masave ndaj Covid-19 dhe është një mëkat që një derbi si ky të luhet pa tifozë, por sido që të jetë, derbi mbetet derbi dhe pres që të luhet një futboll i bukur”, ka thënë Lushtaku për “Kosovapress”. “Për këtë ndeshje mendoj se të dyja ekipet do të hyjnë me të vetmin qëllim që të arrihet rezultat pozitiv dhe do të luhet me shumë kujdes ku të dyja skuadrat janë në një formë të mirë dhe ndoshta në këtë ndeshje do të vendos një detaj, por edhe ekipi që gabon më pak”, ka shtuar Lushtaku.
Sipas tij, një përparësi të madhe në këtë ndeshje e ka skuadra e Ardian Nuhiut, skuadër kjo e cila nëse fiton këtë ndeshje do t’i rriste gjasat për t’u shpallur kampion. “Përparësi i jap Dritës sepse dihet që nëse fiton këtë ndeshje atëherë gjasat i ka shumë më të mëdha për t’u shpallur kampion, por edhe Gjilani është aty dhe do të futet me të gjitha forcat që ta fitojë këtë ndeshjes”, ka deklaruar Lushtaku.
Pas gabimeve të shumta të gjyqtarëve kohën e fundit, Lushtaku shpreson se kjo ndeshje të mos ketë ndonjë të tillë dhe se skuadrat të jenë të kënaqura pas përfundimit të ndeshjes.
“Shpresoj që të luhet një ndeshje fer dhe korrekte në të gjitha aspektet dhe të përfundojë me rezultat real. Gjithashtu, shpresoj që të mos ketë ndonjë problem pas ndeshjes qysh jemi mësuar të kemi gabime nga ana e gjyqtarëve dhe njëkohësisht edhe shumë ankesa nga klubet”, përfundoi Lushtaku. Kujtojmë që Drita prinë në tabelë me 65 pikë, katër më shumë se Gjilani, skuadër kjo e cila renditet e treta me 61 pikë.