Lushtaku: Duhet ta mbrojmë çdo ushtar të UÇK-së që po sulmohet nga Serbia e Rusia
Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, ka thënë se lufta e shqiptarëve të Kosovës është duke u sulmuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse.
“UÇK-ja po përballet prej njerëzve të UDB-së së Serbisë dhe Rusisë. Po trajtohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Po atakohemi jo vetëm nga shërbimi serb por edhe nga Rusia. Kjo e keqe nuk është rastësisht në Kosovë. Unë jam pak më i drejtpërdrejt. Sot është e rëndë t’i thuash dikujt se jam pjesëtar i UÇK-së”, ka thënë Lushtaku me rastin e përurimit të pllakave “Bazë e UÇK”-së në shtëpitë e Hasan Tahirit dhe Idriz Nurakut në Plluzhinë të Skenderajt.
Në këtë kontekst, ai ka kërkuar që të mbrohet lufta e drejtë e UÇK-së.
“Ne duhet të mbrojmë forcërisht çdo pjesëtar të UÇK-së. Duhet ta mbrojmë UÇK-në dhe luftën tonë të drejtë. Pa këtë gjak të derdhur nuk kishte ndodhur kjo që po ndodh sot”, është shprehur Lushtaku.