
Lushtaku i reagon ashpër Kusari-Lilas: Ky vendim është nënshtrim i Kosovës ndaj Serbisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka reaguar ndaj deklaratës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, e cila tha sot që ‘më mirë është të paguajmë rrymën për serbët në veri, sesa të na kthehen policët në arkivol’.
Lushtaku këtë deklaratë të Kusari-Lila e ka cilësuar si skandaloze, ku thotë se kjo deklaratë është heqje dorë nga sovraniteti dhe integriteti i Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.
Po ashtu ai tha se kjo deklaratë është e rëndë për shtetin e Kosovës, për policinë e Kosovës, për heroin Enver Zymberi.
“Megjithatë, kjo deklaratë nuk është befasi, sepse qeveria Kurti 1 kishte dhënë 15 milionë Euro për veriun kurse sot me vendimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të Kuvendit të Kosovës, të mbështetur nga deputetët e VV-së, nga taksat e qytetarëve të Kosovës do të ndahen 11 Milion Euro për të paguar rrymën e shpenzuar nga serbët në Veri”, shkroi Lushtaku.
Ai shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq më shumë po ka ndikim tek Mimoza Kusari- Lila sesa tek lista serbe.
“Ky vendim është gjunjëzim i qeverisë së Kosovës para qytetarëve të papërgjegjshëm që nuk paguajnë taksat për shërbimet që marrin. Ky vendim është nënshtrim i Kosovës ndaj Serbisë”, përfundoi Lushtaku statusin e tij.
Me 6 vota për, Komisioni votoi propozimin e deputetes Mimoza Kusari, ku KOSTT-i detyrohet që për çdo dy muaj t’i raportoj Kuvendit të Kosovës për shpenzimet e rrymës në veri. /Express/