Lushtaku i reagon Kurtit për deklaratën ‘fetë erdhën e shkuan’
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se “fetë erdhën e shkuan”.
Lushtaku ka thënë se partitë dhe liderët kanë ardhur e kanë ikur, ndërsa islami ka mbetur një shtyllë e përhershme që i ka mbijetuar çdo sfide.
“Kurti dhe ideologjia që ai përfaqëson do të jenë një faqe e përkohshme në librin e historisë sonë, ndërsa Islami do të vazhdojë të mbetet i rrënjosur në zemrat e njerëzve, si frymëzim për moralin, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë”, ka shkruar Lushtaku në Facebook”.
Postimi i plotë:
Reagim politik ndaj deklaratës “Fetë erdhën e shkuan”
Është pikërisht e kundërta e asaj që pretendon Albin Kurti. Në historinë e kombit tonë, sistemet politike, ideologjitë, partitë dhe liderët kanë ardhur dhe ikur. Por islami, si pjesë e pandashme e identitetit dhe kulturës së shumicës dërmuese të shqiptarëve (93%), ka mbetur një shtyllë e përhershme që i ka mbijetuar çdo sfide.
Edhe Kurti dhe ideologjia që ai përfaqëson do të jenë një faqe e përkohshme në librin e historisë sonë, ndërsa islami do të vazhdojë të mbetet i rrënjosur në zemrat e njerëzve, si frymëzim për moralin, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë sonë. Jam krenar që jam shqiptar, krenar që jam mysliman, dhe krenar që jemi vëllezër me të krishterët, duke ndarë një tolerancë dhe respekt që shumë popuj e dëshirojnë. Ky është një virtyt që na bën unikë dhe na mban të bashkuar si komb!