Lushtaku: Jam deri në fund me Klinakun
Deklarata e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinakut se më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurti, se sa të ikte nga Kosova, ka shkaktuar reagime në vend.
Në reagime të shumta është duke u kërkuar që të arrestohet dhe prokuroria të merret me të dhe deklaratat e tij.
Por, jo të gjithë janë kundër asaj çfarë ka deklaruar Klinaku mbrëmë.
Atë është duke e mbështetur një bashkëluftëtarë.
Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Drenicës, Sami Lushtaku, në një prononcim për “Front Online”, ka thënë se ka të njëjtin mendim me Klinakun.
“Mos ia merrni për të madhe sepse gjendja e rëndë ka qenë në Kosovë sidomos çfarë po ndodh atje. Edhe unë me tregu drejtë qaty në një mendje jam me Klinakun. Në asnjë mënyrë nuk kisha pranuar me lëshuar Kosovën”, ka thënë Lushtaku.
Ai ka thënë se Klinaku ka dhënë vetëm një mendim.
“Secili ka të drejtën me dhënë mendim. Prandaj ky është vetëm një mendim. Veprim nuk ka bërë ai djali. Unë jam me Klinakun deri në fund, pavarësisht se çfarë ka thënë ai, unë me Klinakun jam”, ka thënë Lushtaku.