Lushtaku kërkon dorëheqjen e Sveçlës dhe Haxhiut
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, ka kërkuar dorëheqje të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një postim në “Facebook”, Lushtaku është shprehur se pas vrasjes së gruas shtatzënë këta ministra menjëherë duhet të japin dorëheqje.
“Dorëheqje të menjëhershme nga ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas vrasjes makabre të gruas shtatzënë. Arsyetimi i pandershëm i kryeministrit Kurti, shefit të Xhelalit dhe Albulenës, ku fajtorët sipas tij janë qielli i pistë dhe familjet e Kosovës, paraqet vetëm shmangie nga përgjegjësit e vërtetë, gjeneralizim të problemit dhe justifikim i dështimit hierarkik polici – drejtësi”, ka shkruar Lushtaku.
Më tutje, Lushtaku ka thënë se kryefajtori është kryeministri Kurti.
“Dështimet e njëpasnjëshme në ofrimin e sigurisë kolektive kanë përgjegjës, kanë emër dhe mbiemër dhe janë po këta të lartcekur, me në krye kryepërgjegjësin – kryefajtorin kryeministrin Kurti”, ka shkruar Lushtaku.