Lushtaku, Musliu e Geci vizitojnë familjen Demaku e Demaj (Foto)
Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, dhe ish-komandanti i UÇK-së, Jetullah Geci, kanë vizituar familjen e Fadil e Nexhat Demaku, dhe familjen e vëllezërve Demaj të cilët janë dërguar në burg për vuajtje të dënimit.
Lushtaku në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ish-ushtarët e UÇK-së po vazhdojnë të dënohen për krimet e supozuara gjatë luftës në Kosovë.
“Ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdojnë të dënohen për krimet e supozuara gjatë luftës në Kosovë. Së fundi kanë shkuar në vuajtje të dënimit, vëllezërit Fadil e Nexhat Demaku dhe vëllezërit Demaj nga Abria. Vizitova prindërit e Fadilit dhe Nexhatit të cilët ndonëse në moshë të shtyrë, janë kalitur më sprovat e padrejta të cilat po rëndojnë mbi bijtë e tyre që një kohë të gjatë. Uroj që drejtësia të vijë në vend, që vëllezërit Demaku e Demaj t’i bashkohen sa më shpejt familjeve dhe shoqërisë”, ka shkruar Lushtaku.
/Epoka e re/