Lushtaku për emërimin e Jasharit në krye të FSK-së: E ka marrë një emërim që i takon
Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, për emërimin e Bashkim Jasharit në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se ka marrë një pozitë që i takon.
“I uroj gjithë ata që kanë marrë mandatet e tyre iu dëshirojmë sukses. Bashkim Jashari e ka marrë një emërim që i takon, pasi ka marrë pjesë në luftën e Kosovës, me Adem Jasharit, më vjen mirë që është në krye të FSK-së”, është shprehur Lushtaku në Edicionin Special.
Ai tregoi se me familjen e kreut të tanishëm të FSK-së njihen familjarisht dhe kanë kontakte me ta.
“Ne sigurisht kemi kontakte të përgjithshme. Ne jemi në politikë dhe jemi orientuar kah politika e zotëri Bashkim në pjesën e uniformume që i shërben atdheut, kemi kontakte por angazhimet janë të ndryshme.. Po sigurisht, gjithherë kur takohemi flasim edhe me bashkimin , edhe me Bekimin edhe me Lulëzimin edhe me gjitha ata që janë të familjes Jashari”, ka thënë Lushtaku.
Lushtaku theksoi se e kanë pritur një emërim të tillë, por që jo kaq shpejt.
Ai tregoi që e ka uruar Bashkim Jasharin përmes rrejteve sociale, por që shtoi që do ta vizitojnë edhe në kazermë.
“Fillimisht e kemi uruar përmes rrjeteve sociale por besoj që do ta vizitojmë edhe në kazermë dhe në shtabin e tij”, ka vazhduar ai.
Lushtaku foli edhe për dorëzimin e detyrës nga Bekim Jashari për bashkëpartakun e tyre, Fadil Nurë, duke thënë se ka respekt për Jasharin por që platforma e PDK-së është besuar më shumë nga qytetarët e Skenderajt.
“Zgjedhjet ishin fer ishin demokratike dhe ma i miri fitoi në aspektin politik dhe kjo nuk do të thotë se Bekim Jashari nuk është ma i miri po në aspektin politik platforma e PDK-së ishte ma e besueshme për qytetarët e Skenderajt dhe kësisoj i fituam zgjedhjet në Skenderaj. E falënderoj për pritjen që i bëri Fadil Nurës. Pasi kemi parë raste të ndryshme ku nuk i kanë pritë për inate politike”, ka shtuar ai.